Takimi vendimtar për Ukrainën po zhvillohet në Bruksel, Orban kërcënon me veto

Takimi vendimtar për Ukrainën po zhvillohet në Bruksel, Orban kërcënon me veto

Një konsensus mbi vendimet në favor të Ukrainës në samitin e BE-së në Bruksel do të ishte një “shenjë shumë e rëndësishme” për Kievin dhe Moskën, tha kancelari gjerman Olaf Scholz përpara fillimit të samitit të BE-së.

Udhëheqësit e mbledhur në Bruksel duhet të vendosin njëzëri nëse do të hapin negociatat e pranimit me Ukrainën, dhe t’i ofrojnë Kievit ndihmë financiare afatgjatë me vlerë deri në 50 miliardë euro.
Kryeministri hungarez Viktor Orbán ka kërcënuar vazhdimisht me veton ndaj këtyre vendimeve, transmeton Telegrafi.

“Është e rëndësishme të dërgohet një sinjal i qartë i mbështetjes. Një sinjal drejtuar qytetarëve të guximshëm të Ukrainës që po mbrojnë vendin e tyre”, tha Scholz.
“Por sinjali i drejtohet edhe presidentit rus, i cili duhet të dijë se nuk mund të llogarisë tek Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare të reduktojnë mbështetjen për Ukrainën”, tha kancelari gjerman.
Kryeministri hungarez Viktor Orban edhe një herë, në prag të fillimit të samitit, kundërshtoi qartë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe tha se mund të diskutohet vetëm kur Kievi të përmbushë kushtet e nevojshme.

Orban kundërshton gjithashtu një paketë ndihme prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën deri në vitin 2027.

Duke pasur parasysh kundërshtimin e Hungarisë ndaj vendimeve kyçe për BE-në, pritet që ky samit të zgjasë shumë.

MARKETING