Takimi Stoltenberg-Begaj: NATO mbështet stabilitetin e Ballkanit Perëndimor

Takimi Stoltenberg-Begaj: NATO mbështet stabilitetin e Ballkanit Perëndimor

Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se është shënuar përparim lidhur me vendimin e Hungarisë për të miratuar anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, raporton Anadolu.

Stoltenberg, pas takimit të tij me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në selinë e NATO-s, zhvilloi konferencë të përbashkët.

Duke iu përgjigjur pyetjes rreth procesit të miratimit nga Hungaria për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, Stoltenberg tha se anëtarësimi i këtyre dy vendeve në Aleancë për të është prioritet.

Ai rikujtoi se muajin e kaluar me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, kanë rënë dakord për rifillimin e bisedimeve mes Türkiye-s, Suedisë dhe Finlandës, ndërsa njoftoi se këtë javë takimi do të mbahet në Bruksel ku do të fokusohen në marrëveshjen trepalëshe të nënshkruar në korrik.

Stoltenberg tha se sot do ta vizitojë Suedinë ndërsa një delegacion nga Hungaria para një kohe të shkurtër ka vizituar Suedinë ku kanë përgatitur një raport ku është rekomanduar miratimi i protokolleve të aderimit.

“Ende kemi një rrugë që duhet bërë por jemi duke shënuar përparim”, tha Stoltenberg duke shtuar se Suedia dhe Finlanda janë në procesin e anëtarësimit më të shpejtë në historinë e NATO-s.

Ai rikujtoi se Türkiye dhe Hungaria janë dy anëtare në mesin e 30 vendeve që ende nuk e kanë miratuar anëtarësimin e këtyre vendeve. “Parlamenti hungarez njoftoi planin për miratim kah fundi i këtij muaji. Një mesazh pozitiv dha edhe delegacioni hungarez në Suedi. Po shënojmë përparim dhe po i afrohemi miratimit të Hungarisë”, u shpreh ai.

– “NATO mbështet stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”

Stoltenberg tha se Shqipëria është një aleat i vlefshëm dhe se kontribuon në misionet e NATO-s. “Shqipëria ka kontribuar në mbështetjen e dhënë për Ukrainën kundër Rusisë ndërsa edhe NATO mbështet sigurinë e Shqipërisë”, tha Stoltenberg.

Sipas tij, Ballkani Perëndimor ka një rëndësi strategjike për NATO-n.

“Ramë dakord për rëndësinë e pranisë së NATO-s në rajon, përfshirë misionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë dhe zyrat tona në Sarajevë dhe Beograd. Gjithashtu rrisim mbështetjen tonë për Bosnjë e Hercegovinën në drejtim të përforcimit të kapacitetit të tyre mbrojtës. E mirëpres avancimin e shënuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Shpresoj për zhvillimin e punimeve konstruktive në javët në vijim. NATO mbështet fuqishëm stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Lidhur me këtë jemi në dijeni se mund t’i besojmë mbështetjes së Shqipërisë”, tha Stoltenberg.

Presidenti Begaj, nga ana e tij, duke theksuar se zgjerimi i NATO-s është i pashmangshëm, potencoi se për këtë shkak është i nevojshëm anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në Aleancën Veri-Atlantike.

Ai deklaroi se Ballkani Perëndimor është bërë skenë e zhvillimeve komplekse të sigurisë, ndërsa tërhoqi vëmendjen se Rusia përveç NATO-s përbën kërcënim edhe për Ballkanin Perëndimor.

Begaj duke rikujtuar se kanë ndjekur me shqetësim zhvillimet e disa muajve më parë në veri të Kosovës, shprehu mirënjohjen e tij për vazhdimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës.

Presidenti i Shqipërisë potencoi se Kosova ka një vizion për integrim në familjen euroatlantike, ndërsa e shohin pozitivisht planin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, prania e NATO-s në rajon me KFOR-in është një shembull suksesi.

MARKETING