Takimi midis Zelenskyt dhe Putinit nuk ka gjasa të ndodhë, thotë Merz

Një takim midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit rus Vladimir Putin nuk do të zhvillohet, pavarësisht të gjitha premtimeve që Putin i bëri presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Kështu, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ka thënë kancelari gjerman Friedrich Merz gjatë një takimi me presidentin francez Emmanuel Macron.
“Një takim midis presidentit Zelensky dhe presidentit Putin me sa duket nuk do të ndodhë, pavarësisht marrëveshjes së arritur midis presidentit Trump dhe presidentit Putin javën e kaluar”, citohet të ketë thënë kancelari gjerman.
Më 15 gusht, presidenti i SHBA-së, Donald Trump u takua me udhëheqësin rus Vladimir Putin.
Udhëheqësi amerikan theksoi se një nga qëllimet e tij ishte të organizonte një takim trepalësh që do të përfshinte edhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Megjithatë, një javë më vonë, Trump pranoi se Putin nuk dëshiron të takohet me Zelenskyn sepse nuk e pëlqen atë.
Vetë Zelensky ka deklaruar vazhdimisht publikisht se Rusia po dërgon sinjale negative në lidhje me takimet dhe rrjedhën e ardhshme të ngjarjeve.
Presidenti finlandez Alexander Stubb tha se gjatë negociatave aktuale për përfundimin e luftës, udhëheqësi rus Vladimir Putin qëllimisht bën kërkesa që janë të pamundura për t’u pranuar.
Ndërkohë, kryeministri kanadez Mark Carney beson se Putin ka frikë të takohet me Zelensky për të diskutuar kushtet për përfundimin e luftës.