Takimi i kryenegociatorëve në Bruksel, Bislimi: Sorensen ka vizion të qartë si të ecet përpara në takimet e radhës

Në Bruksel kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kanë zhvilluar takimin e parë nën ndërmjetësimin e emisarit të ri për dialogun, Peter Sorensen.
MARKETING
Pas takimit, Bislimi, para gazetarëve ka thënë, se sot kanë pasur një seri takimesh prandaj edhe kanë zgjatur.
“Natyrshëm ka patur dakordim të plotë mes palëve andaj edhe neve na është dhënë kohë që në takimin e radhës të sjellim në mënyrë të shkruar idetë se si mund të sigurohemi që versioni i sekuencimit të cilin kemi përfundu me z. Lajçak duhet të bëhet i pranueshëm për palët dhe të ecim tutje. Ndërkaq tema e tretë të cilën është dashur të trajtohet ka qenë tema të tjera ku pastaj secila palë ka propozuar idetë e veta. Duke qenë se nuk jemi dakorduar për një agjendë të përbashkët atëherë takimet kanë vazhduar në formatin bilateral, ku Serbia ka diskutuar me BE-në tema që i ka pa si të rëndësishme dhe ne kemi diskutuar temat tona”.
Bislimi ka thënë se për Kosovën ka qenë tema më e rëndësishme për momentin ajo e personave të pagjetur që e ka marrë pjesën më të madhe të takimit, “ku kemi treguar se çfarë ka bërë Kosova në këto muaj e çfarë nuk ka bërë pala tjetër”.
“Tema tjetër që ka qenë shumë e rëndësishme për neve ka të bëjë me transferet financiare drejt qytetarëve në Luginën e Preshevës, ku kemi argumentuar se si ideja jonë nuk përbën kurrfarë shkelje, e në fakt garanton transparencë të plotë. Tema e tretë që ka qenë shumë e rëndësishme për neve dhe kemi diskutuar në bilateral është funksionalizimi i interkoneksionit me Serbinë i cili po e rrit koston e transmisionit për energjinë jo vetëm në Kosovë por edhe për rajonin. Tema e katërt që e kemi ngrit ka qenë për takimet e grupit të zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, ku ne kemi treguar propozimet tona dhe kemi arsyetuar ngecjet e deritanishme të cilat janë bërë kryesisht me pengesat që ka bërë Serbia. Tema e fundit që kemi ngrit është ajo e fushatës sistematike të dezinformatave që është organizuar dhe po shpërndahet nga ana e Serbisë e cila ka qëllime të caktuara që të krijojë një percepcion për keqtrajtim të komunitetit serb në Kosovë”.
I pyetur nëse ka ndonjë ndryshim të qasjes tek pala evropiane, tani me ndërmjetësin e ri në dialog, Bislimi ka thënë se “në pjesën e parë kemi dakorduar principet për ecjen përpara në këto takime dhe mendoj se kjo ka reflektuar edhe stilin tjetër të ndërmjetësimit të z. Sorensen. Ne jemi dakord me të gjitha propozimet e tij dhe i mbështesim të njëjtat. Mendojmë që ato sigurojnë edhe një raportim më të mirë tek vendet anëtare për atë se çfarë ndodh brenda, por edhe qartësi te palët që pastaj të mos keqpërdorin bisedat brenda për interpretime mediatike jashtë takimit, që mendoj që në këtë drejtim z. Sorensen është duke bërë një punë shumë të mirë”.
Ndërsa, në pyetjen nëse mund të thuhet se dialogu është ringjallur së paku në nivel të kryenegociatorëve, ai ka thënë se varet se ç’ka nënkupton me ringjallje.
“Nëse mendoni në rezultate konkrete mendoj se është ende herët për këtë, por ideja ime është që z. Sorensen ka pak a shumë një vizion të qartë se si do të ecë në takimet e radhës e poashtu është dakorduar që javën tjetër të dërgojë në Kosovë dhe Serbi dy nga anëtarë të tij më të ngushtë të ekipit që të grumbullojë informata shtesë, pastaj mbase edhe të vijë vetë në fillim të muajit korrik në Kosovë dhe Serbi për të parë se cili duhet të jetë hapi i radhës. Kjo për mua tregon që ai ka një investim të madh në proces, ka dëshirë që të shohë rezultate, por ju e dini se deri më tani Serbia e ka sabotuar çdo hap të procesit dhe nuk është lehtë që të vendoset në binarë apo në trajektore të re”, ka deklaruar Bislimi.
Ai ka thënë se ideja e ndërmjetësuesit në dialog, Sorensen, është që të bëjë edhe një takim gjatë muajit korrik, para se EEAS të shkojë në pushim të verës.
Një draft-statut i hartuar për këtë asociacion nga BE-ja nuk është dërguar ende në Gjykatën Kushtetuese për interpretim nga Qeveria në detyrë e Kosovës. Një veprim i tillë do të shënonte hapin e parë drejt krijimit të Asociacionit.
Krynegociatori serb foli edhe për rolin e Sorensenit si ndërmjetës i dialogut. Për dallim nga homologu kosovar që vlerësoi se emisari i ri ka vizion të qartë për dialogun, Petkoviq tha se nuk dëshiron ta gjykojë Sorensenin bazuar vetëm në takimin e parë trepalësh.
“Sorensen po përpiqet të ndihmojë, dhe kjo është edhe roli i tij në këto bisedime. Procesi është i yni dhe ne duhet të angazhohemi për të arritur përparim në dialog. Nga ana jonë ekziston një vullnet i qartë politik, por këtë po e presim prej kohësh nga ana e Prishtinës. Do të shohim, nuk do të doja të gjykoj Sorensenin bazuar vetëm në takimin e parë trepalësh. Le t’i japim një mundësi të tregojë veten dhe të shohim si do të duket rezultati nën ndërmjetësimin e tij”, theksoi ai.
Edhe Petkoviq tha se në Bruksel ka diskutuar për çështjen e personave të zhdukur, por edhe për tema të tjera, sikurse energjia.
“Nga ana jonë kemi konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e Grupit Punues në Gjenevë më 26 qershor, duke treguar kështu gatishmërinë e plotë për ta zgjidhur këtë çështje humanitare, e cila është me rëndësi për familjet e të zhdukurve”, theksoi ai.
Ai po ashtu tha se është rënë dakord që bisedimet në nivel kryenegociatorësh të vazhdojnë në fillim të korrikut.