Tajlandë, 2 të vdekur dhe 5 të plagosur nga rënia e vinçit të ndërtimit në rrugë
Dy persona humbën jetën dhe pesë të tjerë u plagosën të enjten pasi pjesë të një vinçi ndërtimi ranë mbi një rrugë në provincën qendrore Samut Sakhon të Tajlandës, duke goditur automjetet që kalonin poshtë, thanë autoritetet, raporton Anadolu.
Sipas gazetës Bangok Post, incidenti ndodhi pak pas orës 09:00 sipas kohës lokale në rrugën Rama II, një arterie kryesore që lidh Bangkokun me Tajlandën jugore.
Aksidenti ndodhi një ditë pasi një vinç ndërtimi u shemb mbi një tren pasagjerësh në provincën Nakhon Ratchasima në verilindje të Tajlandës, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 32 personave dhe plagosjen e 64 të tjerëve, raportuan mediat lokale.
Inspektori i trafikut në stacionin policor Muang Samut Sakhon, Pol Lt Pirote Pinthip, tha se dy viktimat u shpallën të vdekur në vendngjarje, ndërsa pesë të tjerët pësuan lëndime dhe u dërguan në spital.
Pjesët e vinçit që ranë ishin pjesë e një projekti ndërtimi të një ure të autostradës dhe u rrëzuan mbi dy automjete që po lëviznin poshtë.
Policia dhe ekipet e shpëtimit u dërguan në vendngjarje për të vlerësuar dëmet. Autoritetet siguruan zonën dhe mbyllën disa korsi në të dy drejtimet si masë paraprake.

