Tajfuni “Ragasa”, 17 viktima dhe mijëra të zhvendosur

Tajfuni “Ragasa”, me erëra që kanë arritur deri në 195 km/h, ka shkaktuar të paktën 17 viktima dhe ka detyruar mijëra banorë të lënë shtëpitë e tyre, duke goditur Filipinet, Tajvanin dhe pjesën jugore të Kinës.
Në Tajvan, 14 persona kanë humbur jetën në qarkun lindor të Hualien, ku një liqen i krijuar nga rrëshqitjet e dheut ka përmbytur qytetin Guangfu, teksa raportohen 124 persona të zhdukur.
Një urë është shkatërruar dhe lagje të tëra janë kthyer në lumenj balte. Rreth 60% e banorëve gjetën strehë në katet e sipërme të shtëpive të tyre, ndërsa 340 ushtarë u angazhuan për ndihmën e emergjencës.
Pas Tajvanit, “Ragasa” u drejtua drejt Guangdong, në jug të Kinës. Mijëra persona u evakuuan, ndërsa në Hong Kong erërat e forta dhe valët e detit shkaktuan dëme në infrastrukturë, ku u plagosën 13 persona.
Sipas televizionit shtetëror CCTV, më shumë se 1 milion banorë u evakuuan në provincë.
Shkollat, fabrikat dhe transporti u pezulluan në dhjetëra qytete, ndërsa qendrat e përkohshme të strehimit pritën qindra të zhvendosur, përfshirë edhe në Macao, ku u raportua një i plagosur.
Në Filipinet veriore, “Ragasa” shkaktoi tre viktima, pesë persona të zhdukur dhe mbi 17 500 banorë që u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Emri i tajfunit, “Ragasa”, ka kuptimin e “goditjes së befasishme” dhe vjen nga gjuha tagalog, që flitet kryesisht në Filipine.
Autoritetet raportojnë se sektori i teknologjisë nuk ka pësuar dëme, duke shmangur një krizë ekonomike të mëtejshme.