Svelça: Kemi dëshmi se nga Vuçiqi e Serbia u organizua sulmi në Banjskë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, pasi ka dështuar në aneksimin e veriut të Kosovës po dështon edhe në manipulimin se shteti serbë është i përfshirë në sulin terrorist të 24 shtatorit, në Banjskë të Zveacanit.
Sveçla ka theksuar se kanë dëshmi se Serbia është prapa këtij sulmi.
“Sot do të shohim në detaje me pamje jo vetëm sulmin terrorist në Banjskë por edhe përgatitjet e këtij grupi në qendrat e trajnimit të Serbisë. Në këtë trajnim janë angazhuar, presidenti serb, Aleksandër Vuçiqi, ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq dhe shefi i komandës së ushtrisë, Milan Mojsiloviq. Vuçiqi është munduar ta fshehë faktin se Serbia është angazhuar në organizimin e këtij sulmi…”.
“Në deklarimet e tij publike presidenti serb është munduar ta mohojë faktin që shteti që ai udhëheqë ka planifikuar sulmin e 24 shtatorit, por dokumentet që kemi publikuar dhe pamjet e sotme janë dëshmi e organizimit të strukturave ushtarake e shtetërore në këtë organizim. Dokumenti që kemi publikuar ishte vërtetim që Ushtria e Serbisë e kishte dhënë gjithë armatimin. Dje e sot kemi gjetur sasi të tjera të armatimit në zonën ku vazhdon operacioni. Serbia tha se ky ishte grup i serbëve lokalë, ne publikuam harta që tregonin planifikimin ushtarak. Serbia tha se vrasja e policit nuk ishte e munduar, por video dëshmojnë sulmin me kalibra të rëndë edhe pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku. Përgatitjet, trajnimi dhe ushtrimi janë bërë në territorin e Serbisë. Pamjet janë siguruar nga dronët e konfiskuar të grupit terrorist”, ka theksuar ai.
Sveçla, kryekriminelin, Milan Radojçiq, e ka cilësuar si “Pablo Escobari i Serbisë, cili u mundua të behët “si Prigozhini i Serbisë”, por, dështoi siç dështoi “Putini i vogël i Serbisë” (Vuçiqi)
“Shteti kriminal i Serbisë, ish-ministri i propagandës së Millosheviqit, pas dështimit të aneksimit të veriut, po dështon edhe në manipulimin se ata nuk ishin në këtë organizim terrorist. Pablo Escobari i Serbisë u mundua të bëhet Prigozhin i Serbisë, por ai dështoi siç dështoi edhe Putini i vogël i Serbisë. As veriu nuk është Donbas, e as Serbia nuk është Rusia.”, ka shtuar Sveçla.
Ndërkaq, drejtori i Policisë, Gzmend Hoxha, ka prezantuar videot dhe fotografitë që dëshmojnë lidhjet e këtij grupi me Serbinë.