Sveçla: Kemi gjetur dokumente që dëshmojnë lidhjen e Radojiçiq me sulmin terrorist

Sveçla: Kemi gjetur dokumente që dëshmojnë lidhjen e Radojiçiq me sulmin terrorist

Ministri i Punëve të Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media të hënën, ka deklaruar se në operacionin e së dielës në manastirin e Banjskës në Zveçan, janë gjetur dokumente që dëshmojnë lidhjen e Milan Radojçiqit me sulmin terrorist.

Sipas ministrit Sveçla, sulmi që ndodhi në veri nuk mund të cilësohet thjesht si një akt i një grupi lokal.

Ai ka theksuar se personat e maskuar që kryen sulmin ishin njësi profesionale dhe speciale të organizuara financiarisht dhe politikisht nga Serbia.

“Personat e maskuar nuk ishin civil, por njësi profesionale e speciale të organizuar financiarisht e politikisht nga Serbia . Ata individë nga pamjet që kemi tashmë kemi ofruar përveç aftësive dhe armatimit që kanë poseduar kanë pasur edhe mjete të rënda si autoblind dhe automjete me të cilat kanë zhvilluar operacionin e tyre. Falë profesionalizimit të Policisë sonë, plani i tyre i dhënë nga Vuçiq për të përshkallëzuar situatën e sigurisë në vendin tonë tashmë ka dështu”, ka deklaruar ai.
Sipas informacioneve të ministrit Sveçla, janë zbuluar harta dhe plane të hollësishme që tregojnë për organizimin e kujdesshëm dhe bashkërendimin e sulmit, që siç ka shtuar ai tregojnë se në këtë sulm kishte lidhje edhe Milan Radojiçiq.
Këto dokumente e harta, sipas Sveçlës, janë dëshmi se kjo është një përpjekje e organizuar dhe koordinuar nga Beogradi për të destabilizuar Kosovën.

Radojçiq, i njohur nga lista e zezë e SHBA-së për veprimtari kriminale, siç ka deklaruar Sveçla ka qenë pjesëmarrës në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmit.

Dokumentet gjetura sipas tij, tregojnë se ai ka ofruar ndihmë në armatimin e grupit dhe ka koordinuar veprimet e tyre.
Ai ka treguar edhe listën e armëve apo lejen zyrtare të institucioneve të Serbisë e dhënë nga Rajdojiçiq, të gjetura në një nga veturat e sulmuesve.

“Janë gjetur harta dhe plane të cilat tregojnë për organizimin e gjatë mirëmenduar dhe bashkërenduar. Këto harta e dokumente janë dëshmi që nuk kemi të bëjmë thjesht me grupe lokale por organizim terrorist që është udhëhequr dhe urdhëruar direkt nga Beogradi. Në këto materiale kemi gjetur edhe dokumente të kriminelit që po ashtu është në listën e zezë të SHBA-së Milan Rajdojiçiq. Dokumente këto që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë aksion”, është shprehur Sveçla.

Në të njëjtin kontekst, ministri Sveçla ka treguar se janë zbuluar armë ushtarake të vitit 2021, të furnizuara nga ushtria e Serbisë, që janë gjetur në zonën e sulmit terrorist në Kosovë.

“Kjo dëshmon që Serbia po shfrytëzon armët dhe kriminelët e saj për të ndikuar në situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë”, ka deklaruar ai.

MARKETING