Sulmi ukrainas ndaj tubacionit rus të naftës zemëron Hungarinë dhe Sllovakinë

Një sulm me dron ukrainas ndaj tubacionit rus të naftës Druzhba ka ndërprerë furnizimet për Hungarinë dhe Sllovakinë, duke shkaktuar zemërim në dy vendet evropiane që ende i blejnë naftë Rusisë përmes tubacionit.
Ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó shkroi sot në X se furnizimet me naftë për Hungarinë përmes tubacionit ishin ndërprerë. “Ky është një sulm i qartë ndaj sigurisë sonë energjetike dhe një përpjekje tjetër për të na futur në luftë”, shkroi ai.
Furnizimet u rikthyen të martën pas një sulmi tjetër të ushtrisë ukrainase ndaj një stacioni tjetër pompimi të tubacionit Druzhba. “Pas sulmit të fundit, furnizimet do të ndërpriten për të paktën pesë ditë”, tha Szijjártó.
Komandanti i forcave ukrainase të dronëve, Robert Brovdi, tha dje se dronët luftarakë ishin përdorur për të shënjestruar stacionin e pompimit Unecha në rajonin perëndimor rus të Bryansk.
Ai nuk dha detaje mbi dëmet, por bashkëngjiti një video që tregonte një zjarr të madh që dyshohet se ishte në Unecha. Autoritetet ruse nuk komentuan fillimisht për incidentin.
Tubacioni Druzhba (Miqësia) është një sistem i degëzuar disa mijëra kilometra i gjatë, përmes të cilit ish-Bashkimi Sovjetik furnizonte vendet socialiste në Evropën Lindore dhe Qendrore me naftë. Për shkak të luftës në Ukrainë, Gjermania, Polonia dhe Republika Çeke nuk blejnë më naftë ruse.
Ukraina bllokoi pjesën e saj të tubacionit për dërgesat në Sllovaki dhe Hungari në vitin 2024, por të dy vendet vazhdojnë të blejnë naftë ruse të transportuar përmes seksioneve të tjera të tubacionit.
Ministri i Jashtëm sllovak Juraj Blanár shprehu zemërim për incidentin, duke thënë: “Çdo kërcënim për sigurinë energjetike të vendit tonë është i papranueshëm”.
Blanár dhe Szijjártó i dërguan një letër të përbashkët shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Kaja Kallas dhe Komisionerit të Energjisë Dan Jorgensen duke u ankuar për sulmin.
Tensionet midis Hungarisë dhe Ukrainës janë të larta. Kievi akuzon qeverinë e Orbán-it për mbajtjen e lidhjeve të ngushta me Moskën dhe pengimin e pranimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, ndërsa Hungaria kritikon Ukrainën për bllokimin e importeve ruse të energjisë.