​Sulmi terrorist në veri, Parlamenti Evropian pritet të miratojë rezolutë për raportet Kosovë-Serbi

​Sulmi terrorist në veri, Parlamenti Evropian pritet të miratojë rezolutë për raportet Kosovë-Serbi

Parlamenti Evropian (EP) pritet ta miratojë një rezolutë të jashtëzakonshme për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë më vonë këtë muaj, pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit më 24 shtator, njoftoi të hënën deputeti kroat në EP, Tonino Picula.

Kërkesën për këtë rezolutë e bëri vetë Picula, në lidhje me raportet mes dy vendeve fqinje dhe gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës pas sulmit.

Picula tha se e mori shumicën e nevojshme për propozimin e tij dhe se për këtë rezolutë do të diskutohet në seancën e dytë plenare gjatë këtij muaji.

“Ne e dënojmë agresionin e fundit të terroristëve të armatosur ndaj oficerit të policisë së Kosovës. Të gjitha faktet për këtë sulm duhet të zbardhen dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë“, tha Picula.

Ndryshe, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup terrorist në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Terroristët u strehuan në manastirin e fshatit, pasi e kishin sulmuar në një pritë një patrullë të policisë, nga ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë.

Policia arrestoi dhe i paraburgosi tre sulmues, si dhe gjeti arsenal të jashtëzakonshëm armësh në vendin e ngjarjes pas sulmit.

Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.

Për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ecurinë e dialogut dhe tensioneve në veri, do të diskutohet të martën me 3 tetor në një seancë plenare të Parlamentit Evropian.

 

MARKETING