Sulmi në Banjskë/ Kurti: E organizoi Klani i Novi Sadit që drejtohet nga ministri serb i Mbrojtjes
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një tjetër deklaratë për sulmin në Banjskë të Serbisë, akuzon Klanin e Novi Sadit.
Kurti thotë se në krye të këtij Klani është Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç.
Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviçit, dhe miku më i afërt i vëllait të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiç, shkruan kryeministri në një postim në rrjetin social “Facebook”.
“Rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë. Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS”.
Sipas Kurtit, para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, ndërsa tani vendin atij e ka zënë Klani i Novi Sadit.
“Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”.
Sipas tij, në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj.