Sulmet izraelite shënjestrojnë tendat e palestinezëve të zhvendosur në Gaza

Sulmet izraelite shënjestrojnë tendat e palestinezëve të zhvendosur në Gaza

Sulmet ajrore izraelite kanë vrarë gjashtë palestinezë të tjerë dhe kanë plagosur disa të tjerë në zona të ndryshme të Rripit të Gazës, derisa gjenocidi izraelit vazhdon pa u ndalur, raporton Anadolu.

MARKETING

Në Deir al-Balah në Rripin e Gazës qendrore disa palestinezë u plagosën në një sulm ndaj një tende të të zhvendosurve pranë Spitalit të Martirëve Al-Aksa.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë tendat e shkatërruara dhe banorët e pikëlluar duke inspektuar dëmet, ndërsa njollat e gjakut janë të dukshme në dyshekët brenda strehimoreve të improvizuara. Aty pranë gjithashtu shihen gra dhe fëmijë të pikëlluar mes tendave të rrënuara.

Vala e re e sulmeve vjen pasi ushtria izraelite njoftoi një fushatë të zgjeruar të quajtur “Operacioni Karrocat e Gideonit”.

Ushtria izraelite tha se forcat e saj kanë filluar sulme të gjera që synojnë “çlirimin e pengjeve dhe mposhtjen e Hamasit”.

Transmetuesi publik izraelit KAN raportoi se operacioni synon të pushtojë të gjithë Rripin e Gazës dhe mund të zgjasë disa muaj. Ai përfshin një evakuim masiv të të gjithë civilëve drejt jugut, ku ushtria planifikon të krijojë “zona të sigurta”.

Gjatë pesë ditëve të fundit, Izraeli ka intensifikuar sulmet në Gaza që përkon me një vizitë rajonale të presidentit amerikan, Donald Trump.

Ushtria izraelite vazhdon me një ofensivë ushtarake në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 53 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Gjatë turneut katër-ditor të presidentit Trump në Gjirin Persik, i cili përfundoi pas largimit të tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe, forcat izraelite vranë më shumë se 378 palestinezë, gati katërfishi i numrit të vdekjeve të raportuara në katër ditët e mëparshme.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Për luftën në enklavë, Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

MARKETING