Sulmet “hakmarrëse” të Afganistanit nxisin “përgjigje efektive” nga Pakistani

Sulmet “hakmarrëse” të Afganistanit nxisin “përgjigje efektive” nga Pakistani

Afganistani ka bërë të ditur se ka nisur sulme hakmarrëse kundër Pakistanit, duke shënjestruar qendra dhe instalime ushtarake përgjatë kufirit, transmeton Anadolu.

“Në përgjigje të agresioneve të vazhdueshme të regjimit ushtarak të Pakistanit, kanë nisur operacione të gjera ofensive hakmarrëse kundër qendrave dhe instalimeve ushtarake pakistaneze përgjatë Vijës Durand”, tha në rrjetet sociale zv/zëdhënësi i qeverisë afgane, Hamdullah Fitrat.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Afganistanit, sulmet po ndërmerren nga provincat Khost, Paktia dhe Nuristan.

Pakistani konfirmoi se Kabuli ka nisur operacione ushtarake, duke i cilësuar si “veprim të paprovokuar”, të cilat u përballën me një “përgjigje të menjëhershme dhe efektive”.

Ministrisë seë Informacionit e Pakistanit, nga ana e saj, tha se luftimet po vazhdojnë në sektorët Chitral, Khyber, Mohmand, Kurram dhe Bajaur, ndërsa raportet fillestare tregojnë për “humbje të mëdha në anën afgane, me disa poste dhe pajisje të shkatërruara”.

Në një postim tjetër në rrjetet sociale, Fitrat tha se “njësi të pajisura me lazer, të vendosura përgjatë Vijës Durand, kanë nisur gjithashtu operacione duke shfrytëzuar mbulimin e natës”. Ai gjithashtu pretendoi për viktima në anën pakistaneze.

Anadolu nuk mundi të konfirmojë në mënyrë të pavarur raportet për viktima në të dy anët e kufirit.

Më herët, Pakistani mohoi se ndonjë civil ishte vrarë në sulmet e së dielës në Afganistan dhe tha se u shënjestruan vetëm baza të “terroristëve”.

“U treguam jashtëzakonisht të kujdesshëm për të parandaluar çdo dëm ndaj civilëve”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Tahir Andrabi, lidhur me sulmet ajrore të së dielës.

Përplasjet e fundit kufitare vijnë pasi Pakistani deklaroi javën e kaluar se ka kryer sulme ajrore në Afganistan, duke vrarë 70 “terroristë”.

Zyrtarët afganë thanë se ishin vrarë civilë dhe u zotuan për hakmarrje.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje për rolin e mundshëm të Katarit në uljen e tensioneve mes Pakistanit dhe Afganistanit, zëdhënësi Andrabi tha se gjatë vizitës së kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif në Doha në fillim të kësaj jave u “diskutuan çështje rajonale, përfshirë ndoshta edhe Afganistanin”.

“Kaq mund të konfirmoj në këtë fazë”, u tha ai gazetarëve të enjten.

Pakistani ka përjetuar një rritje të incidenteve terroriste në muajt e fundit, shumë prej të cilave i atribuohen talibanëve pakistanezë dhe grupeve të ndaluara separatiste “baloch”.

Islamabadi akuzon talibanët pakistanezë se veprojnë nga territori i Afganistanit, një akuzë që qeveria e udhëhequr nga talibanët në Kabul e ka mohuar vazhdimisht.

MARKETING