Sudani raporton 2.345 raste të reja dhe 21 vdekje nga kolera brenda një jave

Të paktën 21 sudanezë kanë humbur jetën nga kolera në Sudan, me 2.345 infeksione të reja të raportuara javën e kaluar, transmeton Anadolu.
Ministria e Shëndetësisë e Sudanit njoftoi se viktimat e fundit e çuan numrin e përgjithshëm të vdekjeve nga kolera në 2.408 midis 96.681 personave të infektuar që nga gushti i vitit 2024.
Shumica e rasteve u raportuan në rajonin Tawila në shtetin Darfuri i Veriut në pjesën perëndimore të Sudanit.
Të dielën, Fondi i OKB-së për Fëmijë (UNICEF) paralajmëroi se mbi 640 mijë fëmijë nën moshën 5-vjeç janë në rrezik të lartë të dhunës, urisë dhe kolerës në të gjithë Darfurin e Veriut.
Sipas OKB-së dhe autoriteteve lokale, kriza shëndetësore vjen në një kohë kur Sudani është shkatërruar nga luftimet midis ushtrisë dhe forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) që nga prilli i vitit 2023, ku si pasojë janë vrarë mijëra njerëz dhe janë zhvendosur miliona të tjerë. Hulumtimet nga universitetet amerikane vlerësojnë numrin e të vdekurve në rreth 130 mijë.