Sudan, regjistrohen pothuajse 1.200 raste të tjera të kolerës dhe 83 vdekje

Sudan, regjistrohen pothuajse 1.200 raste të tjera të kolerës dhe 83 vdekje

Rrjeti i Mjekëve të Sudanit ka bërë të ditur se në shtetin sudanez Nili i Bardhë gjatë dy ditëve të fundit janë regjistruar 1.197 raste të kolerës dhe 83 vdekje, transmeton Anadolu.

Rrjeti i pavarur mjekësor theksoi “situatën katastrofike shëndetësore” për shkak të përhapjes së epidemisë, si dhe bëri thirrje për më shumë qendra shëndetësore për arsye të mbipopullimit në spitale dhe mungesës së shtretërve për pacientët si pasojë e numrit në rritje të rasteve.

Më herët, Mjekët pa Kufij thanë se mbi 800 njerëz u shtruan në spital dhe dhjetëra vdiqën që nga e mërkura nga infeksioni ujor në qytetin Kosti.

Gjithashtu edhe UNICEF paralajmëroi se shpërthimi i kolerës përbën një kërcënim serioz për fëmijët dhe familjet e tyre.

Mbyllja e objekteve kryesore të trajtimit të ujit thuhet se e ka përkeqësuar situatën e nxitur nga bombardimi i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) të stacionit të energjisë ‘Um Dabakir’ më 16 shkurt, që ndërpreu furnizimin me energji elektrike në Kosti dhe në të gjithë Nilin e Bardhë.

Sipas shifrave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë e Sudanit, numri i përgjithshëm i rasteve të kolerës në vend ka arritur në 53.735, me 1.430 vdekje që nga shpërthimi në gusht të vitit 2024.

Kjo krizë po shfaqet në mes të konfliktit të vazhdueshëm civil të Sudanit midis ushtrisë dhe RSF-së që nga prilli i vitit 2023, që ka vrarë mijëra njerëz dhe ka zhvendosur shumë të tjerë.

MARKETING