Studimi i fundit, të rinjtë evropianë po humbasin besimin te demokracia

Studimi i fundit, të rinjtë evropianë po humbasin besimin te demokracia

Vetëm gjysma e të rinjve në Francë dhe Spanjë besojnë se demokracia është forma më e mirë e qeverisjes, shoqëruar me një mbështetje edhe më të ulët nga të rinjtë e polakë.

Ky është studimi i fundit sipas të cilit rezulton se shumica nga brezi Z i Evropës – 57% – preferojnë demokracinë ndaj çdo forme tjetër qeverisjeje.

Megjithatë, normat e mbështetjes variojnë,  48% në Poloni dhe vetëm rreth 51-52% në Spanjë dhe Francë, me Gjermaninë më të lartën me 71%. Më shumë se një në pesë – 21% – do të favorizonin sundimin autoritar në rrethana të caktuara, por të paspecifikuara.

Kjo shifër rezulton më e larta në Itali me 24% dhe më e ulëta në Gjermani me 15%. Në Francë, Spanjë dhe Poloni shifra ishte 23%.

Pothuajse një në 10 në të gjitha vendet, të rinjtë thanë se nuk u interesonte nëse qeveria e tyre ishte demokratike apo jo, ndërsa 14% të tjerë nuk e dinin ose nuk u përgjigjën.

Thorsten Faas, një shkencëtar politik në Universitetin e Berlinit, i cili punoi në studim, tha se; “Midis njerëzve që e shohin veten si politikisht të djathtë të qendrës dhe ndihen ekonomikisht të disavantazhuar, mbështetja e tyre për demokracinë bie në vetëm një në tre.

Studimi u krye në prill dhe maj. Më shumë se 6,700 njerëz të moshës 16 deri në 26 vjeç në Britani, Gjermani, Francë, Spanjë, Itali, Greqi dhe Poloni iu përgjigjën anketës së nëntë vjetore nga instituti YouGov për Fondacionin Tui, i cili financon projekte të dedikuara për të rinjtë në Evropë.

Dyzet e tetë për qind shqetësohen se sistemi demokratik në vendin e tyre është i rrezikuar, përfshirë 61% në Gjermani, ku ekonomia – më e madhja në Evropë – është e dobët dhe e djathta ekstreme ka bërë përparime të konsiderueshme, të nxitura pjesërisht nga mbështetja në rritje nga votuesit e rinj.

Kthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ngritja e Kinës dhe pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia e kanë zhvendosur pushtetin larg Evropës sipas perceptimit të të anketuarve, me vetëm 42% që e llogarisin BE-në midis tre lojtarëve kryesorë globalë.

Pavarësisht – ose ndoshta për shkak të – Brexit-it, shifra ishte më e larta midis britanikëve me 50%. Nga të anketuarit në Mbretërinë e Bashkuar, 73% dëshironin një kthim në BE, ndërsa gati gjysma e të rinjve evropianë (47%) kërkuan lidhje më të forta midis BE dhe Britanisë së Madhe . SHBA-ja shihej nga 83% si pjesë e treshes së fuqisë, e ndjekur nga Kina me 75% dhe Rusia me 57%, shkruan The Guardian.

Polarizimi në rritje po i shtyn gjithashtu të rinjtë evropianë drejt skajeve por një ndarje e dukshme gjinore është shfaqur në këtë proces. Pothuajse një në pesë – 19% – e përshkruan veten si politikisht të qendrës së djathtë, nga 14% në vitin 2021, ndërsa 33% e quanin veten centriste, 32% si të majta dhe 16% pa asnjë përcaktim.

Gratë në Gjermani, Francë dhe Itali identifikohen si progresive në numër më të lartë se katër vjet më parë, ndërsa të rinjtë në Poloni dhe Greqi janë bërë më konservatorë në të njëjtën periudhë. Mbështetja për kufizime më të ashpra mbi migracionin është rritur në të gjithë gamën që nga viti 2021, në 38% nga 26%.

 

MARKETING