Spiropali: Shqipëria mbështet marrëveshjen e paqes, e vetmja mënyrë për stabilitet në Lindjen e Mesme

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, duke iu referuar armëpushimit në Gaza ka deklaruar se “Shqipëria mbështet marrëveshjen e paqes”, sipas saj si e vetmja mënyrë për stabilitet në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.
Ministrja Spiropali ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Izrael, ndërkohë është takuar me ministrin izraelit të Punëve të Jashtme, Gideon Sa’ar dhe kryetarin e parlamentit izraelit, Amir Ohana.
Në një njoftim nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thuhet se Spiropali u prit në një takim nga homologu i saj izraelit.
Në nisje të vizitës së saj në Izrael, kryediplomatja e Shqipërisë në një reagim në rrjetet sociale u shpreh se “kthimi i të gjitha pengjeve në shtëpi do të ishte një hap vendimtar për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor”.
“Shqipëria mbështet marrëveshjen e paqes, arritur së fundmi me ndërmjetësimin e presidentit Trump si e vetmja mënyrë për stabilitet në Lindjen e Mesme dhe bashkëjetesën në siguri e dinjitet për të dy popujt”, ka shkruar Spiropali.
Armëpushimi në Gaza dhe marrëveshja për shkëmbimin e pengjeve
Më 9 tetor, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se Izraeli dhe Hamasi kishin miratuar fazën e parë të planit të armëpushimit në Gaza gjatë negociatave që po zhvilloheshin në Egjipt.
Marrëveshja, e nënshkruar në Egjipt ku u zhvilluan negociatat, hyri zbatim më 10 tetor me miratimin e qeverisë izraelite.
Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të arritur në Rripin e Gazës, ushtria izraelite vazhdon herë pas here sulmet e saj ndaj palestinezëve për arsye të ndryshme.