“Spiegel”: Liderët evropianë kanë mosbesim të thellë ndaj SHBA-së për çështjen e Ukrainës

“Spiegel”: Liderët evropianë kanë mosbesim të thellë ndaj SHBA-së për çështjen e Ukrainës

Krerët e shteteve dhe qeverive evropiane kanë mosbesim të thellë ndaj SHBA-së në bisedimet e paqes që zhvillohen me Rusinë dhe Ukrainën, transmeton Anadolu.

Sipas procesverbaleve të bisedës të siguruar nga revista “Spiegel”, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe disa politikanë të tjerë të lartë evropianë zhvilluan telefonatë sekrete në lidhje me bisedimet e paqes me Rusinë dhe Ukrainën.

Në bisedë u bënë paralajmërime të ashpra se SHBA-ja mund të mashtrojë Ukrainën dhe Evropën dhe u shpreh mosbesim i thellë ndaj SHBA-së. Transkripti në gjuhën angleze i bisedës telefonike thotë se Macroni ka përdorur shprehjen se “Ekziston mundësia që SHBA-ja ta tradhtojnë Ukrainën për çështjen territoriale pa dhënë qartësi mbi garancitë e sigurisë”.

Ndër të tjera janë përfshirë edhe fjalët e Merz-it, i cili duke iu referuar dy negociatorëve amerikanë, përfaqësuesit special të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Steve Witkoff dhe dhëndrit të tij Jared Kushner, që udhëheqin bisedimet e planit të paqes Rusi-Ukrainë, ka thënë se “Ata po luajnë lojëra me ju dhe me ne”.

Bëhet e ditur se në bisedën telefonike morën pjesë edhe kryeministri polak Donald Tusk, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministrja daneze Mette Frederiksen, kryeministri norvegjez Jonas Gahr Store, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Në procesverbal u vu re se presidenti finlandez Alexander Stubb ka thënë se “Nuk duhet ta lëmë Ukrainën dhe Volodymyr-in vetëm me këta njerëz”. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte duke u pajtuar me Stubb-in, ka theksuar: “Unë pajtohem me Alexander-in, ne duhet ta mbrojmë Volodymyr-in”.

Më tej në lajm thuhet se deklaratat e përfshira në procesverbale, tregojnë se evropianët nuk kanë besim tek administrata amerikane dhe negociatorët Witkoff dhe Kushner.

MARKETING