SPGPM: Të ndalen kërcënimet e shtuara ndaj gazetarëve në rrjetet sociale

Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias paralajmëron se në ditët e zisë së përgjithshme në vend për shkak të zjarrit në diskotekën Pulse në Koçan, ku humbën jetën 59 të rinë, kërcënimet ndaj gazetarëve dhe mediave në rrjetet sociale janë intensifikuar.
Në disa media dhe individë janë dërguar mesazhe kërcënuese. Një përdorues i paidentifikuar i rrjeteve sociale i tha gazetarit të televizionit Kanal 5, Aleksandar Vidinovski që “të ketë kujdes se çfarë thotë sepse mund të lundronte në ujëra të thella dhe të mbytej”.
“Gazetarët dhe punonjësit e mediave në vend, si dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë, këto ditë janë nën stres të madh, aq më tepër që në përpjekjen e tyre për të informuar saktë, me kohë, në mënyrë të duhur dhe duke respektuar kodet etike të gazetarisë, gjenden në një situatë kur kjo formë e kërcënimeve ua vështirëson obligimin”, thonë nga Sindikata.
Njëkohësisht, SPGPM paralajmëron dhe do t’i denoncojë rastet në Ministrinë e Brendshme dhe Prokurorinë Publike se dërguesit e këtyre mesazheve dhe komenteve janë duke kryer vepër penale dhe thekson se gazetarët dhe kameramanët nuk mund dhe nuk guxojnë të punojnë nën presion, sepse mjedisi i linçimit do të ndikojë në cilësinë e informacionit, e më pas në proceset demokratike të vendit.