Spanjë, nxënësit dhe studentët protestuan duke bojkotuar mësimin në mbështetje për Palestinën

Spanjë, nxënësit dhe studentët protestuan duke bojkotuar mësimin në mbështetje për Palestinën

Studentë universitarë dhe nxënës të shkollave të mesme, me thirrjen e sindikatës së studentëve në Spanjë, bojkotuan mësimin në gjithë vendin dhe mbajtën protesta në mbështetje të Palestinës në qendrat e qyteteve të mëdha, raporton Anadolu.

Studentët dhe nxënësit në 25 qytete, përfshirë Madridin, Barcelonën, Valencian, Seviljen, Granadën, Malagën, Gironën dhe Bilbaon, zhvilluan protestën me moton “Solidaritet me popullin e Palestinës, ndaloni gjenocidin në Gaza”.

Në kuadër të protestës së studentëve universitarë, e cila u mbështet edhe nga nxënësit e shkollave të mesme, mijëra persona u mblodhën nëpër sheshe në orët e drekës.

Gjatë protestave u brohoritën shpeshherë slogane të tilla si “Ndaloni gjenocidin, jo më në emrin tonë”; “Rroftë lufta e popullit të lirë palestinez”; “Izraeli vrasës”; “Kjo nuk është luftë, ky është gjenocid”; “Ushtritë e pushtuesit sionist jashtë”; dhe “Rroftë Palestina”.

Në manifestin që u lexua nga liderët e sindikatës së studentëve u theksua: “Populli palestinez prej dekadash jeton nën masakrën, sulmin dhe shtypjen e Izraelit fashist, sionist, kolonialist. Gaza, ku jetojnë rreth 2 milionë njerëz, është kthyer në kampin më të madh të hapur të përqendrimit në botë”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe qeveria e tij kanë kryer një gjenocid të ri, thuhet në manifest, në të cilin u kritikua “SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe Spanja për hipokrizi dhe mbështetje” për sulmet e Izraelit.

Studentët akuzuan shtetin e Izraelit për gjenocid kundër palestinezëve dhe kërkuan “përfundimin e pushtimit në territoret palestineze dhe sigurimin e drejtësisë sociale në këto territore pa zbatimin e skllavërisë imperialiste”.

Për Anadolu, studentët që morën pjesë në protestën e cila filloi në sheshin Sol në Madrid dhe përfundoi para ndërtesës së Ministrisë së Jashtme të Spanjës, thanë: “Jemi thellësisht të pikëlluar dhe të turpëruar për atë që po ndodh në Palestinë. E gjithë bota duhet të ngrejë zërin kundër Izraelit”.

Ndërkaq, sekretarja e përgjithshme e sindikatës së studentëve, Coral Latorre, u shpreh: “Organizuam protestën e stome për të treguar solidaritetin tonë me popullin e Palestinës. Kanë humbur jetën mbi 5 mijë njerëz, përfshirë 2 mijë fëmijë, janë bombarduar spitalet dhe shkatërruar shtëpitë. Ky është një gjenocid i plotë dhe kjo protestë është e rëndësishme për të kërkuar që të merren masa urgjente për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.

Protestat në mbështetje të Palestinës në Spanjë do të vazhdojnë edhe në fundjavë.

MARKETING