Spanja do të lirojë 11.5 milionë fuçi nafte nga rezervat strategjike

Spanja do të lirojë 11.5 milionë fuçi nafte nga rezervat strategjike

Qeveria spanjolle ka miratuar lirimin e deri në 11.5 milionë fuçive të naftës nga rezervat e saj, në përpjekje për të lehtësuar mungesat në furnizim, transmeton Anadolu.

Duke folur me gazetarët pas mbledhjes javore të kabinetit, ministrja e Energjisë, Sara Aagesen, tha se ky hap vjen si përgjigje ndaj ndërprerjeve të lidhura me mbylljen e pjesshme të Ngushticës së Hormuzit mes përshkallëzimit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme.

Aagesen theksoi se qeveria ka miratuar lirimin e deri në 11.5 milion fuçive nga rezervat strategjike gjatë 90 ditëve të ardhshme, lirim që do të kryhet në faza dhe dërgesat e para pritet të fillojnë brenda 15 ditëve.

Ndërkohë, ministri i Ekonomisë, Carlos Cuerpo, tha se kabineti, i cili do të mblidhet më 20 mars, do të nxjerrë dekrete për të “marrë disa masa brenda kufijve normal” për të zbutur efektet e situatës në Lindjen e Mesme dhe në vendet e Gjirit mbi ekonominë spanjolle.

Ngushtica e Hormuzit ka qenë në qendër të shqetësimeve të tregjeve globale të energjisë që kur Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) shpallën mbylljen e saj për shumicën e anijeve mes sulmeve SHBA-Izrael ndaj vendit që nisën më 28 shkurt.

Para luftës, rreth 20 milionë fuçi nafte kalonin çdo ditë përmes kësaj ngushtice, ndërsa ndërprerja aktuale e saj ka rritur çmimet e naftës.

Sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit deri tani kanë vrarë rreth 1.300 persona, përfshirë liderin suprem, Ali Khamenei.

Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane.

MARKETING