Spanja do të kërkojë përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të financuar Ukrainën

Ministri i Punëve të Jashtme i Spanjës, Jose Manuel Albares, ka bërë të ditur se vendi i tij në takimin G5+ në Madrid do të mbrojë përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës, transmeton Anadolu.
“Rusia në një moment do të duhet t’i paguajë Ukrainës dëmshpërblimet e luftës. Kjo mund të shihet si një avancim për ato reparacione”, u tha Albares gazetarëve para samitit.
Shefat e diplomacisë së Francës, Gjermanisë, Polonisë, Italisë, Spanjës, Ukrainës dhe Mbretërisë së Bashkuar, së bashku me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE) u mblodhën në Madrid për takimin G5+, i njohur gjithashtu si grupi Weimar+, për të koordinuar strategjinë e mbrojtjes evropiane dhe ukrainase.
“Ka shumë prej nesh që besojnë se duhet të kemi debat. Është më shumë se legjitime të përdoret kjo si financim dhe ky është qëndrimi i Spanjës”, tha Albares, duke iu referuar përdorimit të aseteve të ngrira ruse.
Autoritetet evropiane kanë ngrirë rreth 200 miliardë euro në asete ruse. Derisa BE-ja deri më tani është përmbajtur nga përdorimi i vlerës parësore, ajo verën e kaluar ndau 1.5 miliardë euro në të ardhura nga interesi për të mbështetur Kievin.
Albares tha se këto fonde mund të ndihmojnë në sigurimin e mbështetjes së qëndrueshme të BE-së për mbrojtjes e Ukrainës.
Ai gjithashtu akuzoi Rusinë për ngecje të bisedimeve të armëpushimit dhe sulmet e fundit të Moskës ndaj civilëve i quajti “absolutisht të papranueshme”.
Siç tha ai, takimi G5+ do të diskutojë edhe atë si të forcojë pozicionet e Ukrainës dhe të Evropës në negociatat për një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Spanja po ashtu do të nxisë që në takim të adresohet siguria në kufijtë jugor të Evropës.
Grupi G5+ është një aleancë diplomatike e formuar muajin e kaluar në përgjigje të ndryshimit të politikës së SHBA-së për Ukrainën dhe Evropën.
Grupi bazohet në Trekëndëshin origjinal të Weimarit, një aleancë rajonale e Francës, Gjermanisë dhe Polonisë, duke përfshirë si pjesëmarrës edhe Mbretërinë e Bashkuar, Spanjën, Italinë dhe Komisionin Evropian.