“Spanja dhe BE nuk do ta njohin kurrë aneksimin e njëanshëm të Gazës dhe Bregut Perëndimor nga Izraeli”

Ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares deklaroi se Spanja dhe Bashkimi Evropian (BE) nuk do ta njohin kurrë aneksimin e njëanshëm të Gazës dhe Bregut Perëndimor nga Izraeli, transmeton Anadolu.
Në një intervistë për kanalin televiziv shtetëror spanjoll RTVE, Albares tha se plani i Izraelit për të pushtuar plotësisht Gazën “është një gabim dhe ne e dënojmë atë plotësisht dhe në mënyrë të qartë”.
“Plani i Izraelit për të pushtuar Gazën do të sjellë vetëm më shumë vuajtje dhe vdekje, do të parandalojë lirimin e pengjeve dhe do të destabilizojë të ardhmen e izraelitëve”, tha Albares i cili shtoi se ajo që nevojitet tani është një armëpushim i vërtetë dhe i përhershëm.
“Spanja dhe BE-ja nuk do ta njohin kurrë aneksimin e njëanshëm të Gazës dhe Bregut Perëndimor nga Izraeli. Gaza është pjesë e shtetit të Palestinës dhe duhet të mbetet nën kontrollin palestinez. Ne, si shumica dërmuese e botës, besojmë vetëm në një zgjidhje me dy shtete”, theksoi ai.
Kryediplomati spanjoll potencoi se organet legjislative të BE-së janë shumë të qarta dhe se armët nuk mund t’i shiten një vendi në luftë. “Askush nuk mund të presë që BE-ja dhe Izraeli të vazhdojnë marrëdhënie normale. Izraeli nuk e respekton ligjin ndërkombëtar. Si Spanjë, ne tashmë po zbatojmë disa sanksione ndaj Izraelit. Ka dhe disa sanksione që po inkurajojmë brenda BE-së”, tha Albares.
– “E ardhmja e Ukrainës nuk mund të vendoset pa Ukrainën dhe Evropën”
Lidhur me takimin midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin në Alaska më 15 gusht, Albares tha: “Ne mbështesim çdo iniciativë që do të sigurojë armëpushim të vërtetë, por vetëm Ukraina do të vendosë për të ardhmen e Ukrainës”.
“E ardhmja e Ukrainës nuk mund të vendoset pa Ukrainën dhe Evropën. Nuk do të ketë armëpushim që do t’i lejojë Rusisë të riarmatoset ose të lehtësojë pushtimin e territorit. Ne respektojmë një Ukrainë sovrane, demokratike dhe të lirë. Siguria e Evropës nuk mund të rrezikohet. Nëse luftërat agresive shpërblehen, bota do të jetë më e paqëndrueshme nesër”, tha ai.
Albares shtoi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u zgjodh në mënyrë demokratike me shumicë të madhe. “Zelenskyy duhet të marrë pjesë në të gjitha diskutimet që kanë të bëjnë me integritetin territorial, sovranitetin dhe të ardhmen e Ukrainës”, tha ministri i Jashtëm spanjoll.