Spanja anulon dy marrëveshje me vlerë rreth 1 miliard euro me kompanitë izraelite

Ministria e Mbrojtjes së Spanjës bëri të ditur se ka anuluar dy marrëveshje me kompanitë izraelite me vlerë afër 1 miliard euro, transmeton Anadolu.
Agjencia zyrtare spanjolle e lajmeve EFE ka shkruar se qeveria pavarësisht se nuk është miratuar ende, ka zbatuar dekretin mbretëror që përforcon ligjërisht embargon e armëve ndaj Izraelit, një nga sanksionet me nëntë pika që shpalli kundër Izraelit më 9 shtator.
EFE në lajmin e saj të bazuar në burime qeveritare, theksoi se dekreti mbretëror që përforcon ligjërisht embargon e armëve ndaj Izraelit pritet të miratohet javën e ardhshme, por që hapa konkretë janë ndërmarrë që nga tani.
Burime qeveritare raportuan se Ministria e Mbrojtjes ka anuluar zyrtarisht marrëveshjet për blerjen e raketahedhësve “Silam” me lëvizshmëri të lartë dhe sistemit të raketave antitank Spike L.R., të dyja të projektuara për Forcat e Armatosura.
Informacioni i dhënë tregon se janë anuluar kontrata e blerjes së raketahedhësve “Silam” prej 700 milionë eurosh nga ndërmarrja e përbashkët “Rheinmetall Expal Muntions” dhe EM&E si dhe kontrata e blerjes prej 287.5 milionë eurosh për 168 raketa “Spike” të dhëna ndaj PAP Tecnos Innovacion SA, degës spanjolle të kompanisë izraelite “Rafael”.
Ministria e Mbrojtjes vazhdon të punojë mbi një plan për të ndërprerë lidhjet teknologjike ushtarake me Izraelin dhe alternativa për të siguruar që Forcat e Armatosura të kenë softuerin që u nevojitet.
Pretendohet se dekreti mbretëror, i cili do të ndalojë ligjërisht shitjen dhe blerjen e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake në Izrael, nuk është miratuar deri më tani për shkak të kompleksitetit të hartimit të tij dhe nevojës për të përshtatur përmbajtjen e tij me sistemet ligjore evropiane.