Sondazh: Shumica e gjermanëve mbështesin bisedimet Merz-Putin

Sondazh: Shumica e gjermanëve mbështesin bisedimet Merz-Putin

Shumica e gjermanëve mbështesin bisedime të drejtpërdrejta midis kancelarit gjerman, Friedrich Merz dhe presidentit rus, Vladimir Putin, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, transmeton Anadolu.

Sondazhi i YouGov zbuloi se 58 për qind e të anketuarve mbështesin ose mbështesin fuqishëm diskutime të tilla, ndërsa 26 për qind kundërshtojnë kontaktin e drejtpërdrejtë midis dy liderëve dhe favorizojnë një qasje më të ashpër ndaj Moskës.

Mbështetja për diplomacinë e drejtpërdrejtë ishte veçanërisht e fortë midis votuesve të partisë Unoni Kristian-Demokratik (CDU) të kancelarit Merz, ku 64 për qind mbështetën bisedime të mundshme.

YouGov e zhvilloi sondazhin përfaqësues për agjencinë gjermane të shtypit DPA midis 6 dhe 9 shkurtit.

Merz më herët ka shprehur rezerva për angazhimin e drejtpërdrejtë me Moskën. Në fillim të këtij muaji, ai iu referua vizitës në Moskë të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, duke theksuar se disa ditë pas asaj vizite pasuan bombardime të rënda mbi Kievin.

Megjithatë, Merz gjithashtu tha se dëshiron të mbështesë të gjitha bisedimet që synojnë përfundimin e luftës. Ai theksoi se evropianët janë të gatshëm të bisedojnë me Moskën, por shtoi se bisedimet e udhëhequra nga SHBA-ja midis Rusisë dhe Ukrainës mbeten kanali kryesor i negociatave.

“Nëse mund të kontribuojmë për t’i bërë këto bisedime më të suksesshme, do ta bëjmë. Por nuk do të hapim kanale paralele komunikimi”, tha kancelari gjerman.

MARKETING