Sondazh: 80 për qind e gjermanëve kundërshtojnë fushatën ushtarake vdekjeprurëse të Izraelit në Gaza

Sipas rezultateve të një ankete të kryer së fundmi, rreth 80 për qind e gjermanëve kundërshtojnë fushatën vdekjeprurëse ushtarake të Izraelit në Gaza, ndërsa 75 për qind favorizojnë që qeveria e tyre të ushtrojë më shumë presion mbi Izraelin, përfshirë përmes sanksioneve, transmeton Anadolu.
Veç kësaj, sondazhi i kryer nga revista “Focus” theksoi se 40 për qind e gjermanëve gjithashtu besojnë se Izraeli i ka tejkaluar kufijtë e tij në luftën kundër Hamasit.
Sondazhi tregoi se sa më të rinj të jenë gjermanët, aq më i madh është kundërshtimi ndaj veprimeve ushtarake brutale të Izraelit në Gaza.
Gjithashtu vlen të theksohet se sondazhi zbuloi se Gjermania ka shkallën më të lartë të kundërshtimit në të gjithë Evropën. Vendi ka qenë dëshmitar i protestave të gjera, pasi njerëzit kanë dalë në rrugë për të shprehur indinjatën e tyre ndaj krimeve të luftës të Izraelit në Gaza.
Përballë presionit në rritje të publikut, kancelari Friedrich Merz më 28 korrik deklaroi se qeveria e tij po shqyrton mundësinë e rritjes së presionit ndaj Izraelit për shkak të situatës së rëndë humanitare në enklavën palestineze.
Gjermania prej kohësh ka qenë një mbështetëse e fortë e Izraelit, me udhëheqësit politikë që vazhdimisht kanë theksuar përgjegjësinë historike të vendit ndaj Izraelit, të trashëguar nga e kaluara naziste dhe krimet e kryera ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka vrarë më shumë se 61 mijë njerëz në Rripin e Gazës. Bllokada izraelite e territorit ka çuar në mungesë të theksuar ushqimi dhe vdekje nga uria.