Sllovenia ndalon importet nga kolonitë izraelite të paligjshme

Sllovenia vendosi të mërkurën një ndalim të importeve ngakolonët ilegalë izraelitë, duke përmendur shkelje serioze dhe të vazhdueshme të së drejtës humanitare ndërkombëtare në territoret palestineze të pushtuara.
Agjencia Sllovene e Shtypit (STA) raportoi se masa u ndërmor me kërkesë të kryeministrit Robert Golob, dhe theksoi përkushtimin e Sllovenisë ndaj së drejtës ndërkombëtare.
“Veprime të tilla jo vetëm që rrezikojnë jetën dhe dinjitetin e popullatës palestineze, por edhe themelet e rendit ndërkombëtar. Si një anëtare përgjegjëse e bashkësisë ndërkombëtare, Sllovenia nuk mund dhe nuk duhet të bëhet pjesë e një zinxhiri që mundëson ose mbyll sytë ndaj praktikave të tilla”, thuhej në deklaratën e qeverisë.
Ky vendim, i cili ndalon gjithashtu çdo përpjekje për të anashkaluar ndalimin, vjen pas një sërë masash diplomatike të ndërmarra nga qeveria sllovene.
Vetëm javën e kaluar, ajo vendosi embargo armësh ndaj Izraelit, ndërsa më herët shpalli ministrin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben Gvir, dhe ministrin e Financave, Bezalel Smotrich, persona non grata.
“Këto masa përfaqësojnë një reagim të qartë ndaj politikës së qeverisë izraelite, e cila me veprimet e saj minon mundësitë për paqe të qëndrueshme dhe një zgjidhje me dy shtete,” shtoi qeveria.
Ministrja e Jashtme, Tanja Fajon, pranoi se ndikimi ekonomik i masës është i kufizuar, por e mbrojti atë si një gjest të rëndësishëm diplomatik.
“Ai dërgon një mesazh të qartë për Izraelin dhe për komunitetin ndërkombëtar se shkeljet e së drejtës ndërkombëtare nuk janë pa pasoja në marrëdhëniet ndërkombëtare,” shkroi ajo në një deklaratë në platformën X.
“Ai e vendos Slloveninë mes vendeve që janë parimore, përgjegjëse dhe të guximshme.”
Qeveria i ka ngarkuar disa ministri të shqyrtojnë mundësinë e ndalimit të eksporteve në kolonitë izraelite të paligjshme.
Për më tepër, Sllovenia njoftoi një pako të re ndihme humanitare për civilët palestinezë, që do të dërgohet përmes Jordanisë.
Izraeli përballet me zemërim në rritje për luftën shkatërrimtare në Gaza, ku mbi 61,000 persona janë vrarë që nga tetori 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar tërësisht enklavën, e cila po përballet me uri ekstreme.
Në nëntor të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare nxori urdhër-arrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për shkak të luftës në enklavë.