Sllovenia do të dërgojë oficerë në Grenlandë

Sllovenia do të dërgojë oficerë në Grenlandë

Qeveria e Sllovenisë vendosi sot, në një mbledhje elektronike, të dërgojë dy oficerë të Forcave të Armatosura të Sllovenisë në Grenlandë, të cilët do të marrin pjesë në planifikimin dhe realizimin e stërvitjes ushtarake ndërkombëtare “Qëndrueshmëria Arktike”, nën udhëheqjen e Danimarkës, me synim mbështetjen e forcimit të sigurisë rajonale, raporton Anadolu.

“Në përputhje me paragrafin e tretë të nenit 84 të Ligjit për Mbrojtjen, Qeveria e Republikës së Sllovenisë vendos për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Sllovenisë në përmbushjen e detyrimeve të marra në kuadër të organizatave ndërkombëtare, si dhe miraton plane vjetore për stërvitjen e ushtrisë jashtë vendit dhe të njësive të huaja ushtarake në Republikën e Sllovenisë, në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare”, njoftoi qeveria sllovene.

Oficerët do të marrin pjesë në planifikimin dhe realizimin e stërvitjes ushtarake ndërkombëtare “Qëndrueshmëria Arktike”, e cila udhëhiqet nga Danimarka.

Data e stërvitjes, e cila synon forcimin e sigurisë rajonale, ende nuk është caktuar. Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se do të zbatojë procedurat përkatëse për bashkëpunim në planifikimin dhe realizimin e saj.

Me këtë vendim për dërgimin e oficerëve, Sllovenia u bashkohet disa vendeve evropiane, përfshirë Francën, Gjermaninë, Suedinë, Norvegjinë, Finlandën dhe Holandën, të cilat tashmë kanë dërguar oficerë ose pjesëtarë të tjerë të forcave të armatosura në Grenlandë në kuadër të misionit “Qëndrueshmëria Arktike”.

Për shkak të kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump, vendet evropiane ditët e fundit po dërgojnë me shpejtësi oficerët e tyre në Grenlandë, duke forcuar praninë e personelit ushtarak evropian në këtë ishull me rëndësi të madhe gjeostrategjike.

Zyrtarisht, bëhet fjalë për pjesëmarrje në një stërvitje ushtarake, përkatësisht në operacionin “Qëndrueshmëria Arktike”, por po komentohet se kjo lëvizje përfaqëson një masë evropiane parandaluese përballë kërcënimeve të Trumpit.

Liderët evropianë të martën e kaluar në Paris diskutuan forcimin e pranisë ushtarake në Grenlandë, gjatë një takimi në kuadër të Koalicionit të të Vullnetshmëve për Ukrainën. Madje, edhe para se të mbërrinin në Paris, ku ishin të pranishëm edhe homologët e tyre amerikanë, ata miratuan një deklaratë mbështetjeje për Grenlandën.

Mesazhi kryesor ishte se Grenlanda u përket grenlandezëve dhe se vetëm Grenlanda dhe Danimarka mund të vendosin për të ardhmen e ishullit. Kjo deklaratë u mbështet edhe nga Sllovenia.

MARKETING