Skocia ofron strehim për refugjatët e Gazës, bën thirrje për mbështetje ndërkombëtare

Skocia ofron strehim për refugjatët e Gazës, bën thirrje për mbështetje ndërkombëtare

Ministri i parë i Skocisë, Humza Yousaf, pas sulmit ajror vdekjeprurës në një spital në Gaza ka deklaruar se vendi i tij është i gatshëm të bëhet vendi i parë në Mbretërinë e Bashkuar që ofron siguri dhe strehë për refugjatët nga Gaza, transmeton Anadolu.

“Nuk mund të ketë asnjë justifikim për këtë. Asnjë. Nëse njerëzit nuk mund të jenë të sigurt në një spital, ku do të mund të jenë ata. Ky sulm duhet të dënohet pa mëdyshje në mënyrë më të fortë të mundshme”, shkroi Yousaf në rrjetin social X.

“Në të kaluarën, njerëzit në Skoci dhe në mbarë Mbretërinë e Bashkuar kanë hapur zemrat dhe shtëpitë tona. Ne kemi mirëpritur ata nga Siria, nga Ukraina dhe nga shumë vende të tjera. Ne duhet ta bëjmë këtë përsëri”, tha ministri i parë skocez.

Më tej, ai tha se aktualisht ka 1 milion njerëz të zhvendosur në Gaza.

“Prandaj, unë sot po i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të angazhohet për programin tonë mbarë botëror të refugjatëve për popullin e Gazës”, shtoi ai.

Duke theksuar situatën e rëndë në objektet e kujdesit shëndetësor në Gaza, Yousaf ndau një lidhje personale me krizën, duke zbuluar se kunati i tij, një mjek në Gaza, kishte parë skena të masakrës absolute.

“Kunati im është mjek në Gaza. Kur ne mund të kontaktojmë me të në telefon, ai na tregon skena të masakrës absolute, spitaleve pa furnizime mjekësore, mjekëve dhe infermierëve që duhet të marrin vendimin më të vështirë se kë të trajtojnë dhe kë të lënë të vdesë. Kjo nuk mund të lejohet”, tha Yousaf.

Në dritën e kësaj, Yousaf bëri një lutje për qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar që të mbështesë evakuimin mjekësor të civilëve të plagosur në Gaza.

“Unë po i bëj thirrje qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar që të ndërmarrë dy hapa urgjent. Së pari, ata duhet të fillojnë menjëherë punën për krijimin e një skeme të rivendosjes së refugjatëve për ata në Gaza që duan dhe natyrisht që janë në gjendje të largohen. Dhe kur ta bëjnë këtë, Skocia është e gatshme të jetë vendi i parë në Mbretërinë e Bashkuar që do të ofrojë siguri dhe strehë për ata që janë kapur nga këto sulme të tmerrshme”, tha ai.

“Skocia është e gatshme të luajë rolin e saj në këtë dhe spitalet tona do të trajtojnë burrat, gratë dhe fëmijët e plagosur të Gazës, ku mundemi”, shtoi ai.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Ashraf al-Qudra, për Anadolu njoftoi se mbi 500 njerëz u vranë në një sulm ajror izraelit në Spitalin Baptist Al-Ahli në Rripin e Gazës mbrëmjen e sotme.

Pamjet treguan kufoma të shpërndara nëpër mjediset e spitalit.

Sipas korrespondentit të Anadolu-t, mijëra palestinezë ishin në spital kur ndërtesa u bombardua.

MARKETING