Sistemi “Entry Exit”/ Britanikët paralajmërohen për radhë kilometrike në kufijtë e BE-së

Udhëtarët nga Britania e Madhe që shkojnë në vende si Spanja, Portugalia dhe Italia po paralajmërohen të përgatiten për radhë deri në katër orë në pikat kufitare, pas fillimit nesër të sistemit të ri kufitar të Bashkimit Evropian (EES).
Sistemi “Entry Exit System” kërkon që qytetarët nga jashtë zonës “Shengen”, përfshirë britanikët, të regjistrojnë shenjat e gishtërinjve dhe fotografinë përpara hyrjes në ndonjë nga 29 vendet pjesëmarrëse. Procesi do të kryhet kryesisht në aeroportet evropiane.
Julia Lo Bue-Said, drejtuese e “Advantage Travel Partnership”, këshilloi udhëtarët të rezervojnë deri në katër orë për kontrollet në aeroportet e mëdha të Evropës Jugore, si në Spanjë e Portugali. Said tha se “vonesat janë të pritshme” sidomos kur mbërrijnë disa fluturime njëkohësisht, por pritet që situata të përmirësohet gradualisht.
Redaktori i revistës “Which? Travel”, Rory Boland, tha se udhëtarët duhet të planifikojnë më shumë kohë në mbërritje, duke vonuar transfertat apo udhëtimet e tjera pas fluturimit.
Ministria e Brendshme britanike deklaroi se kontrollet e reja zgjatin vetëm një deri në dy minuta, por pranoi se pritjet do të jenë më të gjata në orët me fluks të lartë. Ndërkohë, në “Stacionin St Pancras”, “Portin e Doverit” dhe “Eurotunnel-in në Folkestone”, kontrollet e EES do të kryhen “në territorin britanik”.
Sistemi do të zbatohet me faza, ndërsa përdorimi i plotë i tij është planifikuar për 10 prill 2026. Regjistrimi i udhëtarëve në EES do të vlejë për tre vjet, por të dhënat do të verifikohen në çdo udhëtim, duke zëvendësuar vulosjen e pasaportave.
Sipas Mark Tanzer nga shoqata “ABTA”, sistemi EES në afat të gjatë do ta thjeshtojë udhëtimin në Evropë, por në fillim mund të shkaktojë vonesa të konsiderueshme gjatë periudhave të ngarkuara. Ai kërkoi që rregullat të zbatohen me kujdes e të punohet me korrektesë për të shmangur pritjet e gjata.