Siria njofton arrestimin e anëtarit të një “celule terroriste” në Latakia
Autoritetet siriane thanë sot se një anëtar i një “celule terroriste” është arrestuar në provincën veriperëndimore Latakia, transmeton Anadolu.
Ministria e Brendshme tha se një person me emrin Basel Issa Ali Jamahiri u arrestua në fshatin Duweir Ba‘bada, në zonën rurale të Jablehut, nën akuzën se është anëtar i celulës së njohur si “Saraya al-Jawad”, e lidhur me ish-komandantin e forcave speciale, Suheil al-Hassan.
U sekuestruan edhe disa armë dhe municione të fshehura në vende të ndryshme, shtoi ministria.
Suheil al-Hassan ka qenë komandant në ushtrinë e regjimit të përmbysur të Bashar al-Asadit dhe njihet gjerësisht si një nga figurat më të lidhura me shtypjen ndaj sirianëve gjatë viteve të revolucionit, midis 2011 dhe 2024. Atij i atribuohet gjithashtu një rol i rëndësishëm në adoptimin nga regjimi të politikës së shtypjes së dhunshme të protestave popullore, përfshirë edhe përdorimin e bombave fuçi.
Ministria shpjegoi se arrestimi i fundit ishte pjesë e një operacioni sigurie të kryer nga Komanda e Sigurisë së Brendshme në provincën Latakia të mërkurën.
Të mërkurën, autoritetet siriane njoftuan sekuestrimin e mjeteve shpërthyese të improvizuara dhe armëve të ndryshme gjatë një operacioni sigurie që synonte celulën “Saraya al-Jawad”, i cili rezultoi me arrestimin e një anëtari të celulës dhe “neutralizimin” e tre të tjerëve.
Administrata e re siriane po punon për të forcuar kushtet e sigurisë në mbarë vendin dhe për të ndjekur pjesëtarët e mbetur të ish-regjimit, të akuzuar për nxitje të pasigurisë.
Bashar al-Asad, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, u largua drejt Rusisë në fund të vitit të kaluar, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, që kishte qenë në pushtet që nga viti 1963. Një administratë e re tranzitore, e kryesuar nga presidenti Ahmad al-Sharaa, u formua në janar.

