Siria dënon sulmin izraelit pranë pallatit presidencial në Damask

Siria dënoi sot fuqishëm një sulm ajror izraelit që shënjestroi një zonë pranë pallatit presidencial në kryeqytetin Damask, duke e quajtur atë “përshkallëzim të rrezikshëm” dhe sulm të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit të vendit dhe institucioneve shtetërore, transmeton Anadolu.
“Presidenca e Republikës Arabe Siriane dënon fuqishëm bombardimin që shënjestroi zonën e pallatit presidencial nga forcat pushtuese izraelite, i cili përbën një përshkallëzim serioz kundër institucioneve të shtetit dhe sovranitetit të tij”, tha presidenca në një deklaratë.
Ajo i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe kombeve arabe të “unifikojnë qëndrimin e tyre dhe të mbështesin plotësisht Sirinë kundër këtyre sulmeve në një mënyrë që siguron mbrojtjen e të drejtave të kombeve arabe në përballjen me agresionin izraelit”.
Siria theksoi se sulme të tilla që synojnë minimin e unitetit dhe integritetit territorial të saj “nuk do ta thyejnë vendosmërinë e popullit sirian ose nuk do të ndalojnë përpjekjet e qeverisë drejt stabilitetit dhe paqes”.
Damasku paralajmëroi gjithashtu se sulmi pasqyron “lëvizje të pamatura që synojnë thellimin e krizave të sigurisë së vendit dhe destabilizimin e unitetit kombëtar”.
Më herët sot, zyrtarët izraelitë thanë se sulmi shërbeu si “mesazh paralajmërues” për udhëheqjen e Sirisë.
Ndryshe nga qëndrimi i komunitetit sirian druz në dënimin e shkeljeve izraelite kundër Sirisë, Muafak Tarif, një udhëheqës i shquar i komunitetit druz në Izrael, përshëndeti sulmin ajror izraelit pranë pallatit presidencial sirian, duke pretenduar se është pjesë e mbrojtjes së druzëve në Siri.
Gjatë takimit të tij me kryeministrin Benjamin Netanyahu, Tarif tha se sulmet e Izraelit në Siri “i dërguan një mesazh pengues regjimit sirian në lidhje me angazhimin e Izraelit ndaj komunitetit druz në Siri”, tha zyra e Netanyahut né një deklaratë.
Popullsia druze e Izraelit vlerësohet në 150.000 dhe shumica e njerëzve mbajnë shtetësi izraelite dhe shërbejnë në ushtri, ndryshe nga 23.000 druzët në Lartësitë e Golanit të Sirisë, të cilët kryesisht e refuzojnë shtetësinë izraelite dhe e identifikojnë veten si shtetas sirianë.
Qeveria siriane e ka akuzuar vazhdimisht Izraelin për shfrytëzimin e grupeve sektare, përfshirë pakicën druze, për të justifikuar ndërhyrjen në punët e brendshme të vendit.
Damasku pohon se të gjithë sirianët, pavarësisht sektit, gëzojnë të drejta të barabarta sipas Kushtetutës.
Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj Sirisë në muajt e fundit, shpesh duke përmendur kërcënimet nga grupet e lidhura me Iranin që veprojnë në vend.