Sipërmarrësi korean i kriptomonedhave dënohet në SHBA me 15 vjet burg
Do Kwon, sipërmarrësi korean i kriptomonedhave dhe bashkëthemelues i “Terraform Labs”, është dënuar me 15 vite burg nga një gjykatë federale në Manhatan, pas akuzave për mashtrim të shkallës së lartë – që çuan në një humbje prej rreth 40 miliardë dollarësh, sipas “The Guardian”.
Gjatë seancës, gjyqtari Paul A. Engelmayer e quajti rastin “një mashtrim epik”, duke theksuar se Kwon kishte mashtruar investitorët që i kishin besuar kursimet e jetës.
Kwon, 34 vjeç, ka pranuar fajësinë për komplot dhe mashtrim me telekomunikacion, si dhe për deklarata të rreme mbi stablecoin-in “TerraUSD”, i cili duhej të mbante vlerën e 1 dollarit, por dështoi duke shkaktuar kolapsin e tregut.
Ai kërkoi ndjesë në gjykatë, duke iu referuar personave që kishin humbur shuma të mëdha, përfshirë një investitor që humbi deri në 500 mijë dollarë.
Prokuroria paraqiti prova të planeve të Kwon për të manipuluar vlerën e kriptomonedhave, duke kërkuar një dënim të rëndë – për shkak të dëmit të jashtëzakonshëm ekonomik.
Avokati i tij kërkoi një dënim 5-vjeçar, në mënyrë që ai të mund të ekstradohej në Korenë e Jugut, ku e prisnin akuza të tjera. Pas vuajtjes së gjysmës së dënimit në SHBA, ai mund të aplikonte për transferim.
“Në një proces të veçantë civil, Kwon ka rënë dakord të paguajë një gjobë prej 80 milionë dollarësh dhe t’i ndalohet çdo aktivitet në tregun e kriptomonedhave”, sipas marrëveshjes me Komisionin Amerikan të Letrave me Vlerë (SEC).
Rasti i tij shihet si një nga skandalet më të mëdha financiare në botën e kriptomonedhave.

