Sipërfaqësia

Sipërfaqësia

Shkruan: Prof. Dr. Metin Izeti

Sjellja sipërfaqësore e figurave që prijnë proceset shoqërore përbën një nga sfidat më të mprehta të kohës sonë, duke u shndërruar në një pengesë serioze për progresin e vërtetë. Kur individët që mbajnë peshën e vendimmarrjes apo të frymëzimit kolektiv zgjedhin të operojnë me një mentalitet afatshkurtër, ata e reduktojnë angazhimin publik në një shfaqje dekorative, ku imazhi ka më shumë peshë se substanca. Kjo lloj sjelljeje, e ushqyer nga dëshira për vëmendje të menjëhershme dhe suksese elektorale apo sociale të çastit, injoron kompleksitetin e problemeve reale dhe ofron zgjidhje kozmetike që nuk prekin rrënjët e krizave. Në këtë mjedis, sjellja ne shoqeri dhe aktivizmi pushojnë së qeni mjete për ndryshim strukturor dhe kthehen në instrumente për menaxhimin e përshtypjeve ditore, duke e lënë shoqërinë në një gjendje pezullie ku koha ecën, por zhvillimi mbetet anemik.

Rreziku më i madh i këtij stili jetese dhe drejtimi qëndron në rrenimin sistematik të ardhmerisë. Një shoqëri që udhëhiqet nga interesa ditore është e dënuar të konsumojë kapitalin e saj moral dhe material pa investuar në qëndrueshmëri. Kur vendimet merren vetëm për të kaluar rradhën apo për të kënaqur orekset e momentit, sakrifikohet vizioni afatgjatë dhe mirëqenia e brezave që vijnë. Kjo qasje krijon një vakum vlerash, ku integriteti zëvendësohet nga pragmatizmi i skajshëm dhe ku besimi i qytetarëve te institucionet dhe individet zbehet deri në indiferencë. Pa një projekt të qartë që tejkalon ciklin e rradhës së lajmeve, e ardhmja mbetet thjesht një koncept abstrakt, ndërsa mundësitë për transformim real humbasin nën zhurmën e debateve boshe dhe veprimeve pa peshë specifike.
Megjithatë, kjo miopi shoqërore nuk është vetëm një kërcënim për kolektivin, por edhe një rrugë drejt autoshkatërrimit për vetë këto figura. Duke ndërtuar karrierat e tyre mbi rërën e lëvizshme të sipërfaqësisë, ata humbasin mundësinë për të lënë një gjurmë të qëndrueshme në histori. Autoriteti i tyre bëhet i brishtë dhe i varur plotësisht nga rrethanat e jashtme, duke i lënë ata pa mbrojtje morale kur erërat e opinionit publik ndryshojnë drejtim. Në fund, rrënimi i sistemit që ata vetë kanë manipuluar me kaq pak kujdes, përfundon duke i marrë edhe ata me vete. Një figurë që nuk investon në thelbin e kauzës që përfaqëson, është e destinuar të harrohet po aq shpejt sa është shfaqur, duke mbetur thjesht një episod i shkurtër dhe i dëmshëm në memorien e një shoqërie që meriton shumë më tepër se kaq.

Hannah Arendt argumenton se e keqja më e madhe nuk vjen domosdoshmërisht nga ligësia e qëllimshme, por nga mungesa e mendimit (thoughtlessness). Kur figurat publike refuzojnë të mendojnë thellë për pasojat e veprimeve të tyre dhe mjaftohen me ndjekjen e rregullave të çastit apo përfitimeve ditore, ata bëhen agjentë të një shkatërrimi “banal” që rënon strukturën e shoqërisë.

Bauman, nga sna tjeter, flet per një botë ku gjithçka është e përkohshme, ku lidhjet njerëzore dhe angazhimet politike nuk kanë më “soliditet”. Sipas tij, liderët e sotëm shpesh vuajnë nga një lloj paaftësie për të planifikuar afatgjatë, sepse janë të zënë duke lundruar në valët e ndryshueshme të konsumizmit politik. Kjo sipërfaqësi e kthen udhëheqjen në një akt “aktrimi” ku rëndësi ka vetëm skena e radhës, duke harruar se pa një themel solid, e gjithë ngrehina shoqërore do të përmbytet nga lëngshmëria e interesave të paqëndrueshme.
Jean Baudrillard argumenton se në shoqërinë tonë, simboli (imazhi publik, postimi në rrjetet sociale, retorika) është bërë më real se vetë realiteti. Figurat që prijnë proceset shoqërore shpesh bien në kurthin e simulimit: ata besojnë se duke krijuar një dukje suksesi, suksesi është arritur vërtet. Ky është momenti kur ata rrezikojnë jo vetëm shoqërinë, por edhe veten, sepse humbasin kontaktin me botën reale derisa realiteti t’i godasë me forcën e pasojave të pashmangshme.

MARKETING