Sindikata e Gazetarëve në Maqedoninë e Veriut solidarizohet me civilët dhe gazetarët në Gaza

Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias në Maqedoninë e Veriut (SPGM) ka shprehur nëpërmjet një letre të hapur solidaritet me civilët, gazetarët dhe punonjësit e medias në Gaza, transmeton Anadolu.
Në letrën drejtuar kryeministrit, ministrit të jashtëm, deputetëve, në një kohë kur bota po përjeton një nga katastrofat më të mëdha humanitare, SPGM ka shprehur solidaritet me civilët në Gaza, si dhe me kolegët e saj – gazetarë dhe punonjës të medias, “të cilët pavarësisht kushteve të tmerrshme, po përpiqen të bëjnë punën e tyre dhe pavarësisht faktit se po vdesin çdo ditë, për të cilat nuk ka asnjë reagim vendimtar nga publiku botëror”.
“Fatkeqësisht, Maqedonia e Veriut ka treguar përmbajtje që nuk duhet të jetë karakteristikë e një shteti social dhe të ndershëm që vetë lufton për respektimin e të drejtave të njeriut të qytetarëve të saj”, thuhet në letrën ku është kërkuar nga institucionet kompetente shtetërore të përdorin të gjitha instrumentet e tyre diplomatike, të reagojnë dhe të ndihmojnë në parandalimin e katastrofës humanitare me përmasa të papara që ka ndodhur në Gaza për më shumë se një e gjysmë vjet.
SPGM shprehu besimin se Maqedonia e Veriut nuk duhet të heshtë për gjenocidin dhe fshehjen e të vërtetës, ku në Gaza deri më tani kanë humbur jetën më shumë se 230 gazetarë dhe punonjës të mediave.
“Ata gazetarë që mbijetuan janë në një pikë kolapsi fizik që i pengon ata të kryejnë detyrën e tyre – të transmetojnë imazhe dhe informacione nga vendi i një katastrofe humanitare të paparë. Në të njëjtën kohë, Izraeli po ndalon gjithashtu hyrjen e gazetarëve të huaj, gjë që errëson më tej pamjen e asaj që po ndodh në Rripin e Gazës”, thuhet në letër.
“Ne kërkojmë që Maqedonia e Veriut të mbështesë publikisht dhe zyrtarisht pezullimin e marrëveshjes midis BE-së dhe Izraelit, evakuimin e menjëhershëm të atyre që janë në rrezik të menjëhershëm për jetën e tyre, kërkesat ndërkombëtare për lejen e gazetarëve të huaj për të hyrë në Rripin e Gazës, mbrojtjen e gazetarëve vendas dhe bashkimin me thirrjet për një hetim ndërkombëtar mbi urinë sistematike si krim lufte”, thekson letra më tej.
SPGM tha se me anë të kësaj letre i bashkohet reagimit të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ) dhe Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), si dhe shumë sindikatave dhe shoqatave të tjera kombëtare të gazetarëve që tashmë i kanë dërguar një apel Bashkimit Evropian (BE) dhe autoriteteve kombëtare, duke i kërkuar BE-së të rishikojë qëndrimin e saj ndaj Izraelit.
“Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punonjësve të medias i inkurajon autoritetet maqedonase të bashkohen me reagimin e përgjithshëm botëror dhe të ndihmojnë në parandalimin e krimeve të luftës në fillim të shekullit të 21-të”, përfundon letra.