Siljanovska-Davkova në OKB: Nuk duam mosmarrëveshje me fqinjët, duam integrim në BE pa kushte shtesë

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, gjatë fjalës së saj në Debatin e Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, deklaroi se integrimi në Bashkimin Evropian (BE) mbetet prioriteti më i madh strategjik i vendit të saj, duke theksuar se ky proces nuk duhet të kushtëzohet me kërkesa të reja, transmeton Anadolu.
“Si vend i përkushtuar ndaj fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, nuk duam mosmarrëveshje me fqinjët tanë. Ajo që duam është të integrohemi në BE, por pa kushte të veçanta shtesë”, tha presidentja Siljanovska-Davkova, duke theksuar se aspirata evropiane është “frymëzimi dhe synimi më i madh strategjik” për Maqedoninë e Veriut.
Ajo kujtoi se vetë BE-ja, sipas akteve themeluese, “definohet si një unitet i diversiteteve dhe obligohet të respektojë dallimet kulturore e gjuhësore, identitetin kombëtar, dinjitetin dhe integritetin e çdo populli”.
Presidentja nënvizoi gjithashtu se “në dokumentin e Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë nuk ekziston asnjë dispozitë për ndryshime kushtetuese”, duke hedhur poshtë kërkesat për kushte të reja në rrugën e anëtarësimit.
OKB-ja përballë një tërmeti gjeopolitik dhe gjeoekonomik
Në fjalimin e saj, Siljanovska-Davkova foli edhe për sfidat globale dhe nevojën për reformim të sistemit ndërkombëtar.
“Kombet e Bashkuara po përballen me një tërmet gjeopolitik dhe gjeoekonomik që po trondit themelet e rendit të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore”, tha ajo, duke kërkuar një rol më të fortë të Asamblesë së Përgjithshme.
“Asambleja e Përgjithshme duhet të jetë një organ përfaqësues për hartimin e politikave globale dhe jo të mbetet një klub debatesh”, shtoi presidentja, duke bërë thirrje po ashtu që “vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të jenë detyruese për të gjitha shtetet anëtare, duke siguruar sundimin e ligjit”.
Në lidhje me Lindjen e Mesme, ajo theksoi se “paqja e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes dialogut dhe diplomacisë”.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut bëri thirrje për respektimin e të drejtës ndërkombëtare humanitare edhe gjatë konflikteve.
“Paprekshmëria e jetës dhe dinjitetit njerëzor duhet të respektohet edhe gjatë luftës”, theksoi ajo.
“Agresioni rus, shkelje flagrante e Kartës së OKB-së”
Në lidhje me luftën në Ukrainë, Siljanovska-Davkova dënoi ashpër veprimet e Moskës.
“Agresioni rus është një shkelje flagrante e Kartës së OKB-së dhe kërcënon drejtpërdrejt paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, tha ajo, duke shprehur shqetësim për “shkeljen e hapësirës ajrore të Polonisë, Rumanisë dhe Estonisë, vende anëtare të NATO-s”.