Si i humbi 50 miliardë dollarë në një ditë ky miliarder?

Si i humbi 50 miliardë dollarë në një ditë ky miliarder?

Në rënie të lirë janë aksionet e kompanive të Adani Group, të cilat po marrin “pasgoditjet” e forta të vendimit të kompanisë së investimeve kërkimore Hindenburg për të vënë bast kundër njeriut të 3-të më të pasur në botë, pra kundër Gautam Adanit.

Në një raport të gjatë, i cili u botua në ditët e fundit, Hindenburg i Nathan Anderson shpjegoi arsyet e “radhitjes” së madhe të kompanive të miliarderit indian, duke përmendur “manipulimin e pacipë të aksioneve” dhe “mashtrimin e kontabilitetit”.

Adani, kuptohet, ka nxituar të hedhë poshtë akuzat, duke e quajtur atë një “kombinim keqdashës i dezinformatave selektive”. Ai po ashtu siguroi se gjithmonë është në përputhje me legjislacionin aktual.

Mirëpo, kjo nuk ia doli t’i vërë “frenë” likuidimeve të mëdha. Aksionet e Adani Enterprises, për shembull, ranë me të paktën 9% në seancën e së premtes, ndërsa stoku i Adani Transmission humbi një të pestën e vlerës. Po kështu stoku i Adani Green Energy, ndërsa stoku i Adani Port ra me rreth 14%.

Sipas të dhënave të Bloomberg, rënia e sotme “i kushtoi” miliarderit indian gjithsej 50 miliardë dollarë.

E gjithë kjo, ndërkohë që humbje të mëdha u regjistruan edhe të mërkurën, ditën e publikimit të raportit të diskutueshëm (të enjten tregu indian u mbyll).

“Po të ishte serioz Adani, do të kishte bërë padi. Ne e mbështesim fuqimisht raportin tonë,” nxitoi të përsërisë Hindenburg, në një deklaratë më të fundit.

Investitori miliarder dhe “guru” i Wall Street, Bill Ackman, nxitoi të shprehë mbështetjen e tij për Hindenburg, duke theksuar se raporti i diskutueshëm është i besueshëm dhe shumë i hulumtuar.

Nga 1 miliard në 2008 në… 119 miliardë sot

Gautam Adani, i cili është aktiv në një sërë degësh të ekonomisë, u bë miliarder për herë të parë vetëm në vitin 2008. Megjithatë, sot ai konsiderohet si njeriu i tretë më i pasur në botë, me një pasuri totale prej 119 miliardë dollarë.

Vetëm në vitin 2022, për shembull, ai arriti të zgjerojë perandorinë e tij me 40 miliardë dollarë.

Adani është një biznesmen i gjeneratës së parë që filloi tregtinë e diamanteve në Mumbai në vitet ’80 dhe përfundimisht e bëri pasurinë e tij nga qymyri.

Sekreti i rritjes së tij të shpejtë është “fshehur” në këtë të fundit, pra qymyrin, pasi kriza energjetike dhe sanksionet ndaj naftës ruse, çuan në rritje të çmimeve të qymyrit, duke rritur ndjeshëm të ardhurat e Adanit.

Por miliarderi indian u dëshmua gjithashtu se ishte një tregtar i mirë, duke mbyllur disa marrëveshje mbresëlënëse. Ndër të tjera, për shembull, ajo bleu njësinë aziatike të Holcim, një port në Izrael, dhe stacionin televiziv NDTV (një nga mediat e pakta në Indi që kritikon qeverinë). /tesheshi.com/

MARKETING