Si Google dëshiron t’ju pengojë të përdorni ChatGPT?
Google në përditësimin e fundit të shfletuesit të tij Chrome ka shtuar një buton të ri “AI Mode”, i cili tani shfaqet menjëherë nën fushën e kërkimit në telefonat inteligjentë.
Ky opsion aktualisht është në dispozicion për përdoruesit në SHBA në pajisjet iOS dhe Android, ndërsa përhapja globale në deri 160 vende është e planifikuar për javët e ardhshme.
Butoni është vendosur mbi shkurtesat e faqeve më të vizituara, kështu që përdoruesit mund t’i qasen menjëherë sapo të hapin një tab të ri. Ideja është e qartë – Google dëshiron që përdoruesit të klikojnë “AI Mode” para se t’i drejtohen shërbimeve konkurrente si ChatGPT ose Perplexity.
AI Mode ofron qasje të shpejtë në kërkimin AI të Google dhe tashmë mbështet disa gjuhë. Në praktikë, kjo do të thotë se përdoruesit mund të bëjnë pyetje dhe të marrin përmbledhje, përgjigje dhe rekomandime pa hapur shërbime shtesë.
Njëkohësisht, Google ka njoftuar për përmirësime të reja “agentic AI”, të cilat mundësojnë që AI Mode të rezervojë automatikisht bileta për ngjarje ose termine në sallonet lokale të bukurisë.
Konkurrenca, megjithatë, nuk fjet – Perplexity po zhvillon shfletuesin e vet Comet, ndërsa OpenAI punon në Atlas, një shfletues bazuar në AI që mund të ndryshojë mënyrën se si përdorim internetin.
Nëse përdorni Chrome, përditësoni shfletuesin – AI Mode duhet të shfaqet automatikisht kur të hapni tabin e ri.

