Shtëpia e Bardhë: SHBA nuk planifikon të dërgojë trupa tokësorë në Izrael

Shtëpia e Bardhë: SHBA nuk planifikon të dërgojë trupa tokësorë në Izrael

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se SHBA nuk synon të dërgojnë trupa tokësorë në Izrael gjatë luftës me grupin palestinez Hamas, raporton Anadolu.

“Nuk ka asnjë synim që të dërgojmë trupat tona në terren”, tha zëdhënësi Kirby, duke shtuar se SHBA do të mbrojë interesat e saj të sigurisë kombëtare “kudo që është e nevojshme, veçanërisht në këtë pjesë të botës”.

Kirby shtoi se kontingjenti i parë i ndihmës së sigurisë për Izraelin “tashmë është rrugës”.

“Në ditët në vijim do të njoftojmë për më shumë ndihmë që të sigurojmë se asnjë armik i Izraelit nuk duhet të mendojë se mund ose duhet të përpiqet të përfitojë nga situata aktuale”, shtoi ai.

I pyetur për mundësinë e përfshirjes iraniane në sulmet e Hamasit, Kirby tha se kishte një “shkallë bashkëpunimi” sepse Teherani e kishte mbështetur grupin për shumë vite.

Megjithatë ai shtoi se SHBA nuk kishte parë “prova të forta, të prekshme që Irani ishte i përfshirë drejtpërdrejt në planifikimin, pjesëmarrjen ose sigurimin e burimeve për sulmet komplekse të kryera nga Hamasi gjatë fundjavës”.

Ai tha se SHBA do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe vuri në dukje se zyrtarët izraelitë pretendojnë se edne nuk kanë gjetur ndonjë provë për bashkëpunim të mundshëm.

Kirby tha se nuk mund të konfirmonte raportimin e Wall Street Journal të botuar të dielën që pretendonte se zyrtarët iranianë të sigurisë ndihmuan në planifikimin e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit.

Për normalizimin mes Izraelit dhe Arabisë Saudite, ai tha: “Ne ende besojmë se normalizimi midis Izraelit dhe Arabisë Saudite është i mirë për qytetarët e këtyre dy vendeve, si dhe për popullin amerikan dhe për të gjithë të tjerët në rajon”.

MARKETING