Shtëpia e Bardhë: SHBA do të konfiskojë naftën nga cisterna e kapur pranë brigjeve të Venezuelës

Shtëpia e Bardhë: SHBA do të konfiskojë naftën nga cisterna e kapur pranë brigjeve të Venezuelës

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se administrata e presidentit Donald Trump synon të konfiskojë naftën nga cisterna që u kap pranë brigjeve të Venezuelës, teksa tensionet me Karakasinin arrijnë kulmin, transmeton Anadolu.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, mbrojti veprimin e SHBA-së, duke theksuar se cisterna ishte një “anije hije e sanksionuar” e njohur për transportimin e naftës së sanksionuar në tregun e zi drejt Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.

“Presidenti është i përkushtuar të ndalojë rrjedhën e paligjshme të drogës në vendin tonë. Ai është gjithashtu i përkushtuar të zbatojë politikën e kësaj administrate për sanksionet. Dhe kjo është ajo që pamë të ndodhte dje”, tha ajo.

Ajo tha se hetuesit aktualisht ndodhen në bord të anijes dhe personat që ishin në të në momentin e ndalimit “po intervistohen dhe çdo provë e rëndësishme po konfiskohet.”

Anija po transportohet drejt një porti amerikan dhe administrata e presidentit Trump synon të nisë procedurat ligjore për të konfiskuar zyrtarisht ngarkesën.

Dje, Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, tha se FBI, Agjencia e Hetimeve të Sigurisë Kombëtare (HSI) dhe Roja Bregdetare e SHBA-së, me mbështetjen e Departamentit të Mbrojtjes, ekzekutuan një urdhër-konfiskimi për cisternën, e cila dyshohet se është përdorur për transportimin e naftës së sanksionuar nga Venezuela dhe Irani.

Ministri venezuelian i Punëve të Jashtme, Yvan Gil, tha se vendi i tij “dënon fuqishëm atë që përbën një akt flagrant vjedhjeje dhe piraterie ndërkombëtare, publikisht të njoftuar nga presidenti i SHBA-së”.

Gil tha se nuk është incidenti i parë i tillë dhe akuzoi administratën e Trumpit për ndjekjen e një plani të qëllimshëm për të konfiskuar burimet energjetike të Venezuelës. Ai theksoi se Trump “deklaroi hapur gjatë fushatës së vitit 2024 se qëllimi i tij ka qenë gjithmonë të marrë naftën e Venezuelës pa paguar asgjë”.

Masa pritet që me shumë gjasë të rrisë më tej tensionet me Karakasinin, teksa Trump vazhdon të kërkojë që presidenti venezuelian, Nicolas Maduro, të largohet nga pushteti, duke këmbëngulur se të gjitha opsionet, përfshirë forcën ushtarake, mbeten të mundshme mes një grumbullimi të madh forcash në rajon.

SHBA-ja ka kryer tashmë 22 sulme ndaj anijeve të dyshuara si “narko-terrorriste”, duke vrarë 87 persona që nga fillimi i operacioneve në Detin e Karaibeve dhe Oqeanin Paqësor Lindor, që nga fillimi i shtatorit.

MARKETING