Shtëpia e Bardhë: Çdo veprim që vendos në rrezik status quo-në në Kuds është i papranueshëm
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, deklaroi se çdo veprim i njëanshëm që vendos në rrezik status quo-në aktuale lidhur me vendet e shenjta në Kuds është i papranueshëm, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë ditore për shtyp, ndaj një pyetjeje lidhur me bastisjen që ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, zhvilloi në Xhaminë Al-Aksa, ajo tha se është e qartë në çështjen për ruajtjen e status quo-së aktuale lidhur me vendet e shenjta në Kuds.
“Çdo veprim i njëanshëm që vendos në rrezik status quo-në aktuale lidhur me vendet e shenjta në Kuds është i papranueshëm. Për këtë çështje do të vazhdojmë të jemi goxha të vendosur dhe të qartë”, deklaroi Jean-Pierre.
“Biden nuk do të ndërhyjë në zgjedhjet për kreun e Dhomës së Përfaqësuesve”
Në lidhje me pamundësinë e zgjedhjes së kreut të Dhomës së Përfaqësuesve për shkak të mos arritjes së shumicës së votave të nevojshme, Jean-Pierre tha se presidenti Joe Biden dhe demokratët nuk do të ndërhyjnë në këtë çështje.
“Biden në ditët e ardhshme do të vizitojë Kentucky-n dhe këtu do të bëjë deklarata lidhur me programin ekonomik. Do të vendoset në zbatim një prej investimeve më të mëdha infrastrukturore që nga 1950”, tha ajo.
Pasi rikujtoi se Biden më 9-10 janar do të vizitojë Mexico City-n, kryeqytetin e Meksikës për të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Amerikës së Veriut, Jean-Pierre bëri të ditur se liderët këtu do të marrin vendime të rëndësishme lidhur me të ardhmen e Amerikës së Veriut. Më tej zëdhënësja Jean-Pierre tha se liderët krahas rrjedhës së emigrimit të parregullt dhe çështjeve mjedisore do të trajtojnë edhe çështjet ekonomike.
Çështja e emigrantëve
Në lidhje me vendimin e Gjykatës së Lartë të SHBA-së, për vazhdimin e ligjit 42, që përshpejton procesin e dëbimit të emigrantëve të paligjshëm, Jean Pierre theksoi se e respektojnë vendimin, por që nuk mbështesin që ky ligj të jetë në fuqi pafundësisht dhe se mendojnë që Kongresi duhet të kalojë në veprim lidhur me emigrantët.
Jean-Pierre, gjithashtu nënvizoi se administrata Biden ka ndërmarrë shumë punime lidhur me emigrantët që vijnë nga kufiri jugor i SHBA-së.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë ndër të tjera theksoi se vendimi për paraqitjen e detyrueshme të testit COVID-19 që do të zbatohet për udhëtarët që do udhëtojnë nga Kina, është marrë në kuadër të “shëndetit publik”.
SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë në terren Ukrainën
Në përgjigje edhe të pyetjeve lidhur me politikën e jashtme, Jean Pierre nënvizoi se SHBA-ja do të vazhdojë të punojë për të arritur objektivat e saj strategjike dhe se në këtë kuadër do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën “deri në fund” kundër Rusisë.
Jean-Pierre vuri theksin se SHBA-ja do të mbështesë “paqen e drejtë”, por që kjo sipas saj do të mund të realizohet vetëm në kuadër të integritetit territorial të Ukrainës.
Ndaj pyetjes nëse do të marrë pjesë apo jo Biden në ceremoninë mortore për Papa Benediktin, ajo njoftoi se SHBA-ja do të përfaqësohet në ceremoninë mortore nga ambasadori i saj në Vatikan, Joe Donnelly.