Shqipëria synon mbylljen e negociatave me BE deri në 2027
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët këtë të premte tha se Shqipëria synon mbylljen e negociatave me BE deri në vitin 2027.
Tutje Hasani theksoi se në vitin 2025 Shqipëria synon të hapi të gjithë grup-kapitujt dhe të mbylljen e grup-kapitullit të gjashtë.
Gjithashtu shtoi se duhet të mbyllen të gjitha negociatat dhe Shqipëria të jetë gati për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.
“Viti 2024 filloi me angazhime diplomatike të rëndësishme për Shqipërinë, që ishin po ashtu mundësi për të pasqyruar angazhimin tonë për stabilitetin dhe zhvillimin rajonal. Dy samitet kyçe që mbajtëm, ato për Agjendën e Rritjes dhe Konvergjencës dhe për Ukrainën, ishin platforma ku Shqipëria ka bërë një hap të rëndësishëm për të forcuar pozitat e saj në rajon dhe për të kontribuar në mbështetje të Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit rus.
Një moment historik i këtij viti ishte mbajtja e Konferencës së Dytë dhe të Tretë Ndërqeveritare (K2NQ dhe K3NQ) me Bashkimin Evropian, më 15 tetor 2024, në Luksemburg, ku hapëm kapitullin e parë të negociatave, “Themeloret” dhe 17 dhjetor në Bruksel për hapjen e grupkapitullit 6 “Marrëdhëniet me jashtë”. Këto hapa shënuan një fazë të re dhe të rëndësishme në procesin e anëtarësimit, duke i dhënë një impuls të ri gjithë procesit të integrimit.
Objektivi ynë është i qartë: në vitin 2025 synojmë të hapim të gjithë grup-kapitujt dhe të mbyllim grup-kapitullin e gjashtë, ndërsa deri në fund të vitit 2027, planifikojmë të mbyllim të gjitha negociatat dhe të jemi gati për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Ky është një qëllim ambicioz, dhe diplomacia do të luajë një rol kyç në realizimin e tij, me komunikim dhe bashkëpunim të ngushtë me shtetet anëtare të BE-së.
Në këtë kuadër, pjesëmarrja e Shqipërisë në Procesin e Berlinit, i cili u mbajt këtë vit në Berlin në dhjetëvjetorin e tij, ka qenë gjithashtu një mundësi për të shpejtuar integrimin dhe intensifikuar mbështetje për stabilitetin në rajon dhe në Evropë”, u shpreh Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.