Shqipëria së shpejti do ta shpallë zyrtarisht Gardën Revolucionare të Iranit organizatë terroriste

Shqipëria së shpejti do ta shpallë zyrtarisht Gardën Revolucionare të Iranit organizatë terroriste

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, tha se Tirana së shpejti do të marrë vendimin zyrtar për ta shpallur Gardën Revolucionare të Iranit (IRGC) organizatë terroriste, transmeton Anadolu.

Hoxha ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun izraelit Gideon Saar, ndërsa në një postim në rrjetin social amerikan X pas telefonatës, ai ka shprehur solidaritet me Izraelin “dhe të gjithë të prekurit nga sulmet e kryera nga Irani dhe Hezbollahu”.

“Shqipëria mbështet përpjekjet vendimtare ndërkombëtare për të siguruar që regjimi iranian të parandalohet nga sigurimi i armëve bërthamore ose çdo arme tjetër të shkatërrimit në masë që kërcënon paqen në rajon dhe më gjerë”, ka deklaruar Hoxha.

“Irani meriton një qeveri nga populli dhe për popullin. Shqipëria së shpejti do të marrë vendim zyrtar për ta shpallur IRGC-në atë që është në të vërtetë: organizatë terroriste”, paralajmëroi ai.

Ai po ashtu është shprehur se vlerëson “miqësinë e gjatë dhe lidhjet e forta midis Shqipërisë dhe Izraelit”, ndërsa shtoi se ky vit shënon 35-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

“Pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë”, ka thënë kryediplomati i Shqipërisë.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm izraelit ka thënë se vendi i tij e vlerëson “miqësinë e gjatë” midis dy vendeve dhe lidhjet dypalëshe, ndërsa e ka uruar Hoxhën për marrjen e detyrës.

“Diskutuam luftën tonë kundër Iranit dhe unë theksova rëndësinë e përfundimit të procesit të përcaktimit të IRGC-së si një organizatë terroriste”, ka shkruar në Saar në X, duke shprehur dëshirë që ta presë homologun e tij në Kuds.

MARKETING