Shqipëria pret që numri i turistëve izraelitë të arrijë në 60.000 deri në fund të vitit
Shqipëria pret që numri i turistëve izraelitë të arrijë në 60.000 deri në fund të vitit, transmeton Anadolu.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë, kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e kompanisë ajrore izraelite Sundor/ELAL, thuhet në njoftim të Ambasadës së Izraelit të publikuar në rrjetet sociale.
Sipas njoftimit, gjatë takimit CEO-ja i kompanisë në fjalë, Gal Gershon, “u nderua me një çmim simbolik mirënjohjeje për mbështetjen në nismën e përbashkët për zhvillimin e turizmit gjithëvjetor”.
“Falë këtij bashkëpunimi, Shqipëria ka pritur 570 për qind më shumë vizitorë izraelitë krahasuar me vitin 2024, me 110 fluturime direkte Tel Aviv–Tiranë dhe një projeksion prej 60.000 vizitorësh izraelitë deri në fund të vitit”, thuhet nga ambasada izraelite.
– “Ky bashkëpunim ka pozicionuar Shqipërinë si një destinacion të preferuar për turistët izraelitë”
Në lidhje me takimin ka reaguar edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, i cili në rrjetet socialë ka theksuar se me kompaninë ajrore izraelite Sundor/ELAL kanë një bashkëpunim të qëndrueshëm për linjën ajrore direkte Izrael–Shqipëri, që sipas tij “ka rezultuar në një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve izraelitë” drejt Shqipërisë.
“Ky bashkëpunim ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve turistike, ekonomike dhe kulturore mes dy vendeve, duke e pozicionuar Shqipërinë si një destinacion të preferuar për turistët izraelitë, të cilët e vlerësojnë mikpritjen, sigurinë dhe pasuritë e saj natyrore e kulturore. Në takim theksuam rëndësinë e vijimit të këtij partneriteti strategjik për zhvillimin e konceptit ’12 muaj turizëm’, me synimin për të promovuar Shqipërinë si një destinacion tërheqës gjatë gjithë vitit, përmes bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve, linjave ajrore dhe sektorit privat”, ka shkruar Gonxhja.
– Rritje rekord prej 570,7 për qind të vizitave të shtetasve nga Izraeli
Ndërkohë, gjatë gjenocidit të Izraelit në Gaza ka pasur një rritje rekord vizitash të turistëve izraelitë në Shqipëri.
Bazuar në shifrat zyrtare të Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), raportohet se në periudhën janar-gusht 2025, rritja e vizitave të shtetasve nga Izraeli në vend është me 570,7 për qind, krahasuar me janar-gusht 2024.
Sipas këtyre të dhënave, për 8-mujorin e parë të vitit 2024, numri i hyrjeve të izraelitëve në Shqipëri, me qëllime profesionale, personale apo turistike, ka qenë 6.822, ndërkohë për të njëjtën periudhë të vitit 2025 është 45.758 shtetas.

