Shqipëria, Kroacia dhe Kosova nënshkruajnë Deklaratën e Përbashkët të Bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes

Në Tiranë u nënshkrua “Deklarata e Përbashkët e Bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes” ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë dhe Republikës së Kosovës. Dokumenti u firmos nga ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, z. Pirro Vengu, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, z. Ivan Anušić, dhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, z. Ejup Maqedonci.
Ky zhvillim strategjik pasqyron aleancën e ngushtë mes tri shteteve, të lidhura nga historia, sakrificat për liri dhe një vizion i përbashkët për një të ardhme të sigurt.
“Kemi një vlerësim të përbashkët të kërcënimeve në një mjedis sigurie të brishtë. Në këtë kontekst, angazhimi ynë për zhvillimin e kapaciteteve tona mbrojtëse, është më i fortë se kurrë,” – theksoi ministri Vengu.
Gjithashtu, Shqipëria dhe Kroacia do të punojnë ngushtësisht për unifikimin e qëndrimeve politike në mbështetje të aspiratave të qytetarëve të Kosovës për integrim të plotë në strukturat rajonale dhe euroatlantike.