Shqipëria dhe Kosova, do të organizojnë Europianin U-16
Shqipëria dhe Kosova janë përzgjedhur nga Federata Europiane e Volejbollit (CEV) për të organizuar finalet e Kampionatit Europian U-16 për vajza. Ky turne do të organizohet verën e ardhshme (2-13 korrik 2025).
Lajmin e konfirmoi Federata Shqipotare e Volejbollit, që tha se CEV ka miratuar kandidaturën e dy vendeve shqiptare për të organizuar këtë event. Shqipëria ka organizuar edhe më parë evente të tilla, ndërsa për Kosovën kjo është hera e parë që organizon një turne të tillë në sportin e rrjetës.
Për të koordinuar sa më mirë veprimet organizative, pak ditë më parë janë takuar në Prishtinë edhe dy presidentët e dy Federatave: Erlind Pëllumbi (FSHV) dhe Bahri Gjinovci (FVK).
Mësohet se ndeshjet do të luhen në Tiranë dhe Prishtinë. Faza finale e turneut U-16 për vajza do të zgjasë 12 ditë dhe pjesëmarrëse do të jenë 16 ekipe kombëtare, të ndara në dy grupe me nga 8 skuadra secila.