Shqipëri, Presidenti i EBA-së vlerësohet me titullin “Ylli i Mirënjohjes Publike”

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, ka vizituar Shqipërinë, ndërkohë është vlerësuar nga kryeministri Edi Rama me titullin “Ylli i Mirënjohjes Publike”, transmeton Anadolu.
Kryeministri Rama ka pritur në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë presidentin e EBA-së, Al Nahyan, bashkë me delegacionin që e shoqëron.
Në një reagim në rrjetet sociale në lidhje me vizitën, Rama e ka konsideruar presidentin Al Nahyan “një mik të vjetër e të shtrenjtë të popullit shqiptar”.
“Në nder të një miku të rrallë dhe dashamirësi të madh të Shqipërisë, presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed, i cili më shumë se njëherë ka qëndruar pranë popullit shqiptar në ditë tejet të vështira”, ka shkruar Rama në lidhje me titullin e akorduar për Presidentin e EBA-së.
Gjatë fjalës në ceremoninë e dhënies së titullit, Rama tha se jepet për përkushtimin e palëkundur (të Al Nahyan) “ndaj marrëdhënies strategjike midis dy vendeve” dhe “kujdesin vëllazëror në momente nevoje” për popullin shqiptar.
“Por unë di këtë: nga Kosova në Somali, nga India në Magreb, nga Toka e Shenjtë deri në Shqipëri dhe, po patjetër, në të gjithë rajonin tuaj dhe në mbarë botën, emri juaj dëgjohet me respekt, shqiptohet me mirënjohje dhe ndërmendet me shpresë. Njerëz të çdo ngjyre, gjuhe dhe besimi ju janë falënderues për praninë tuaj afër tyre, në orët më të errëta. Dhe si do të mund të merrnin formë Marrëveshjet Abrahamike, kaq jetike për Lindjen e Mesme dhe frymëzuese për gjithë botën, pa guximin dhe dashurinë tuaj të sinqertë për paqen”, tha Rama për presidentin Al Nahyan.
Gjatë ditës së djeshme, vizitoi Shqipërinë edhe zëvendëskryeministri i Emirateve të Bashkuara Arabe, njëkohësisht edhe ministër i Punëve të Jashtme, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.