Shqipëri, mbahet protestë antiqeveritare
Në Shqipëri është mbajtur një protestë antiqeveritare, e organizuar nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), raporton Anadolu.
Protesta me moton “Për familjen, ekonominë dhe demokracinë” është mbështetur dhe nga parti të tjera opozitare.
Sipas PD-së, opozitës i është mohuar fjala në parlament dhe sipas saj, “opozita e ka për detyrë që të shpëtojë Shqipërinë”.
Mbështetësit e opozitës janë mbledhur për të protestuar para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku në pankartat e tyre shfaqën mesazhe kundër qeverisë dhe përfaqësuesve të saj.
Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, e konsideroi protestën gjatë fjalës së tij një “platformë parlamentaro-qytetare”.
“Në dhjetë seanca parlamentare si kurrë ndonjëherë në histori në asnjë vend, opozita u lejua të debatojë vetëm në një seancë. Në këto kushte, u bë e domosdoshme dalja në shesh në një platformë parlamentaro-qytetare. Të vazhdojmë ne këtë betejë të vendosur”, tha Berisha, duke iu drejtuar pjesëmarrësve në protestë.
Berisha u shpreh ndër të tjera se kjo platformë është “platforma e një bashkimi më të madh se kurrë të shqiptarëve rreth vlerave më të shenjta të tyre, rreth votës së lirë dhe rreth familjes”.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ka kundërshtuar edhe miratimin disa ditë më parë të ligjit “Për barazinë gjinore”, pasi, sipas tij, “ai ligj është shpërbërja e familjes dhe shqiptarët nuk do ta pranojnë kurrë”.
Gjatë protestës u theksua se “pa zgjedhje të lira nuk ka zgjidhje”. Partia Demokratike ka paralajmëruar vazhdimin e protestave edhe në javët në vazhdim.
Për mbarëvajtjen e protestës u angazhuan dhjetëra forca policore shtesë, ndërkohë që nuk u shënuan incidente.

