Shqipëri, mbahet protestë antiqeveritare

Shqipëri, mbahet protestë antiqeveritare

Në Shqipëri është mbajtur protestë antiqeveritare, me thirrjen e partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), raporton Anadolu.

Mijëra persona nga qytete të ndryshme të Shqipërisë kanë protestuar para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, sipas PD-së, kundër “abuzimeve dhe korrupsionit të qeverisë”.

Kryetari i PD-së dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në fjalën e tij gjatë protestës u shpreh se sot janë “më të bashkuar se kurrë”.

“Ne jemi të pamposhtur sepse ne mbrojmë kauzë të drejtë. Ne jemi të pamposhtur sepse ne mbrojmë vlerat më të arrira të njeriut, mbrojmë lirinë, interesin kombëtar, dinjitetin njerëzor familjen dhe kombin”, tha Berisha.

Berisha theksoi ndër të tjera se Shqipërinë do ta ndryshojnë me shumë shpejtësi. “Të vazhdojmë ne betejën tonë në çdo derë, në çdo mendje, në çdo zemër, për fitoren e thellë dhe përfundimtare të opozitës shqiptare më 11 maj”, u shpreh Berisha duke iu drejtuar protestuesve.

Protestuesve iu drejtua me një audio-mesazh edhe ish-presidenti i Shqipërisë dhe presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Gjatë fjalës së tij Meta i konsideroi protestuesit si “misionarë të lirisë, demokracisë dhe patriotizmit”.

Meta, i cili u arrestua më 21 tetor 2024, i dyshuar për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish, aktualisht është në paraburgim.

Për mbarëvajtjen e protestës u angazhuan qindra forca policore, ndërkohë në disa momente u shënuan edhe incidente pasi disa protestues hodhën tymuese dhe kapsolla ndaj policisë.

MARKETING