Shpërthen zjarr në Rashtak, janë përfshirë edhe shtyllat elektrike

Gjatë ditës së sotme, rreth orës 14:00, ka shpërthyer zjarr në Malin e Zi të Shkupit, pranë fshatit Rashtak, Komuna Gazi Babë. Pas paraqitjes së rastit, menjëherë kanë ndërhyrë ekipet e Brigadës të Qytetit të Shkupit.
Sipas informacioneve nga terreni, zjarri rrezikon objekte dhe infrastrukturë, ndërsa janë përfshirë edhe shtyllat elektrike të EVN-së. Për këtë arsye, kompania është njoftuar dhe ka ndërmarrë masa për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike në atë rajon.
Nga QMK-ja thonë se për shkak të vështirësive në terren, ekipet e BMZ-së hasin pengesa në shuarjen e zjarrit. Në aksion janë angazhuar edhe dy aeroplanë “Air Tractor” të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe një helikopter i Ministrisë së Punëve të Brendshme.